Pse kam sugjeruar dje dorëheqjen e zotit Veliaj:
1. Tirana nuk mund të qeveriset me korrespondencë, edhe nëse i zgjedhuri do të duhej ta ushtronte detyrën me këtë metodë në kushte lirie. Kryetari i Bashkisë ka një përgjegjësi dhe ngarkesë tepër të madhe për të mundur ta kryejë misionin e qeverisjes edhe në minimumin e detyrueshëm nga kushtet e lirisë së kufizuar në izolim.
2. Tashmë është vërtetuar se pozita e të zgjedhurit nuk krijon asnjë avantazh apo lehtësi në rastet e ndjekjes penale. Të qenit deputet, kryetar bashkie apo edhe ministër nuk krijon asnjë lehtësi në raport me ndjekjen penale, masat e sigurisë apo ndëshkimin penal. Përkundrazi, është krijuar perceptimi që shpesh pozita e të zgjedhurit përbën një rrethanë më shumë rënduese sesa lehtësuese për të pandehurit. Kjo nuk do të thotë që rasti i zotit Berisha mund të justifikohet. Ai qartazi është trajtuar si përjashtim.
3. Duket kontroverse, por një dorëheqje e mundshme e Erionit do të konsiderohej më shumë si respektim i betimit që ai ka bërë për t’i shërbyer Tiranës dhe si besnikëri ndaj votëbesimit plebishitar, sesa si një dorëzim. Gjykoj se ky akt do të perceptohej qartazi si një qasje e ndryshme dhe moralisht e kundërt me atë të zotit Berisha, i cili mbertheu pozicionin e Kryetarit të PD për të fituar imunitet përballë akuzës dhe procesit penal.
4. Dorëheqja do të ishte një kartë e fortë morale dhe do të forconte kredibilitetin e pretendimit për pafajësi. Në rrethanat aktuale ky akt do të përbënte një shërbim madhor dhe pse jo një sakrificë për Tiranën, Partinë Socialiste dhe punët e panumërta që ka përsipër Bashkia më e madhe e vendit tonë.
5. Mendoj se dorëheqja do të përbënte një qasje burrërore dhe jo një sjellje nga pozita e dobësie.
Besoj se edhe kundërshtarët më të egër të zotit Veliaj do të hiqnin kapelën nga respekti.
6. “Mbrojtja” që zoti Sali i bëri Erionit, në fakt, nuk përbën ndonjë reflektim të kreut të PD mbi standardet e drejtësisë, por thjesht një taktikë për të imunizuar prapanicën e vet.
7. Ky qëndrim i imi është jo vetëm personal, por tejet dashamirës dhe i hapur. Kështu që çdo Nest Angon e çdo spiun frikacak si ai që ka nahija jonë politike të mos fërkojë duart nga gëzimi.