Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ishte i ftuar këtë të martë në “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv, ku dha këndvështrimin e tij për valën e shembjeve të ndërtimeve pa leje në Theth, sezonin turistik në qytetin që ai qeveris, shkarkimet e nënkryetarëve, drejtorëve dhe kryetarëve të njësive administrative në bashkitë e vendit, si dhe rezultatin historik që Partia Socialiste mori në zgjedhjet e 11 majit.
Ndreu theksoi dakordësinë e tij për aksionin e lirimit të hapësirave publike, duke treguar publikisht se subjekti i parë që u prek ishte vëllai i tij, që zotëronte një lokal në bulevardin “Zogu i Zi” në Tiranë.
“Gjithmonë ka pasur ndërhyrje të tilla. Qeveria nuk është ajo që kujdeset për hapësirat publike, e ka pushteti lokal, bashkitë e kanë detyrë. U përmend Lezha dhe unë mendoj se edhe Lezha ka probleme. Lokali i parë që është rrëzuar te bulevardi Zogu i Parë është lokali i vëllait tim, këtu në Tiranë. Ka pas disa vite që paguante taksa, por në fund të fundit ka një filozofi, një mënyrë si trajtohen hapësirat publike. Ka një klauzolë për leje provizore që duhet të rinovohen një herë në vit. Shumica e atyre nuk kanë ardhur për t’i rinovuar. Bashkia nuk mund të lërë leje të përhershme në hapësirë publike. Leje të lehta me rinovim”,- tha Ndreu.
Shembja e ndërtimeve pa leje në fshatin turistik të Thethit, për Ndreun është një iniciative e përligjur e qeverisë, por mendon se koha që duhej të zhvillohej do të ishte më e duhur ajo pas sezonit turistik.
“Kam konflikt interesi se Thethi është dashuria ime e pikave malore në Europë. Thethi për mua është diçka që e adhuroj. Jam frekuentues familjarisht i Thethit prej vitesh dhe banorët e Thethit janë më të mirët që kam parë. Nuk janë banorët e Thethit shumica e atyre që kanë hyrë tani në Theth. Janë shumë të tjerë që nuk kanë lidhje me shtëpitë e vjetra të Thethit. Kam frikë se kanë përfituar njerëz në paligjshmëri. Kryeministri u ka thënë që do t’u japë tapitë tokat, të gjitha atyre që kanë paur bujtina, kanë pas një shtëpi. Kisha një vit e sa pa hyrë në Theth, ishte komplet tjetër gjë. Kam ngelur i befasuar nga një bum shumë i madh ndërtimi. Unë mendoj që institucionet që e kanë pasur për detyrë atë punën e kanë pasur përgjegjësinë. Nëse unë shkoj ndërtoj aty dhe nuk më thotë njeri gjë, unë mund të ndërtoj”,- tha Ndreu.
Numri një i qeverisë “shkundi” pushtetin lokal nga Vlora, ku nisi me shkarkim e 27 drejtorëve të Bashkisë dhe më pas me të njëjtin vrull kërkoi edhe nga bashkitë e tjera të vendit “pastrimin” e organikës drejtuese përfshirë drejtorët, nënkryetarët dhe krerët e njësive administrative. Kryebashkiaku i Lezhës tha se kjo “reformë” e Ramës nuk është ndërhyrje në pushtetin lokal, por iniciativë për përmirësimin e qeverisjen vendore.
“Rama të lërë të gjithë hapësirën e nevojshme që të ushtrosh kompetencën tënde. Askujt, as edhe një kryetari bashkie, nuk i thotrë pse e kemi marrë këtë në punë apo pse e ke marrë këtë se është i djathtë apo… Për hir të kësaj sjellje ai kërkon faturën, që fatura është puna. Do që t’i dalësh për zot territorit. Në Lezhë po vlerësojmë, po bëjmë vlerësimin njëherë. 2 nënkryetarë sapo i kam ndërruar. Njëra ka 3 muaj, tjetri ka 6-7 muaj. Janë sapo të ndërruar. Shumica e administratorëve janë të ndryshuar brenda një viti”,- tha Ndreu.
Kreu i pushtetit vendor në Lezhë tha se kryeministri kërkon vetëm që t’i “heqësh dhimbjen e kokës” për qeverisjen e bashkive dhe për mënyrën se si të arrihet kjo ai nuk vendos asnjë kufizim për kryebashkiakët, mjafton që puna të bëhet mirë./REPORT TV