Emigracioni në Bashkimin Evropian e ka çuar popullsinë e bllokut në rekordin prej 450.4 milionë njerëz vitin e kaluar.
Kështu kanë treguar të dhënat e fundit të Eurostat, të publikuara ditën e premte.
Sipas raportit, Unioni ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje që prej vitit 2012, që do të thotë se emigracioni është i vetmi faktor që ka çuar në rritjen e popullsisë.
“Rritja e konstatuar e popullsisë mund t’i atribuohet në masë rritjes së lëvizjeve migratore post-COVID-19”, deklaroi Eurostat.
Në vitin 2024, BE-së iu shtuan 1.07 milion banorë të rinj, me kuotën migratore prej 2.3 milionë që kompensuan rënien e natyrshme të njerëzve prej 1.3 milionë.
Vdekjet e regjistruara vitin e kaluar, që arritën në 4.82 milionë, vazhduan të nxirrnin në deficit kuotën e lindjeve me 3.56 milionë.
Trendi i vendos sfidat demografike të Evropës në vëmendje teksa popullsia në plakje e kontinentit të vjetër dhe rënia e lindjeve po kufizojnë sistemin e mirëqenies dhe po krijojnë mungesë krahu pune.
Franca, Gjermania dhe Italia vazhdojnë të mbajnë pozicionet e tyre si vendet me popullsitë më të mëdha të bllokut, duke përbërë thuajse gjysmën e të gjithë popullsisë evropiane, ose 47 për qind.
Ndërkohë, 19 vende regjistruan një rritje të shifrave të popullsive përkatëse vitin e kaluar, ndërsa 8 regjistruan rënie.
Malta ishte vendi që arriti rritjen më të madhe, ose 19 për 1 mijë banorë, e ndjekur nga Irlanda me 16.3 dhe Luksemburgu me 14.7.
Ndërsa mes vendeve që konstatuan rënie, Letonia regjistroi kuotën më të lartë me minus 9.9, e ndjekur nga Hungaria me minus 4.7 dhe Polonia me Estoninë, që mbajnë vendin e tretë me minus 3.4.