Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një takim me deputetët e qarkut Tiranë, drejtorët e bashkisë së kryeqytetit dhe drejtuesit politikë të 12 qarqeve të vendit, ku në qendër të diskutimeve ishte aksioni i autoriteteve për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te shembjet e kryera së fundmi në Theth, duke theksuar se premtimi i tij para fushatës zgjedhore ishte legalizimi vetëm për ata që kanë trashëguar pronën e gjyshërve, e jo për ndërtimet e reja të kryera pa leje.

Burime për mediat bëjnë me dije se në pjesën e mbyllur të mbledhjes, kryeministri ka kërkuar një rifreskim të stafeve në bashki, fillimisht për ato që janë qendra qarku, me përjashtim të Tiranës.

Po ashtu, sipas burimeve të Lexo.al Rama ka urdhëruar heqjen e licencës për çdo zyrë avokatie dhe noterie që ofron me pagesë shërbimet e platformës E-Albania, duke theksuar se ky shërbim duhet të ofrohet falas nga bashkitë.