Pas lajmit tronditës për vdekjen e Diogo Jotës dhe vëllait të tij André Silva, trajneri i kombëtares së Portugalisë, Roberto Martínez, ka reaguar publikisht me një mesazh prekës, duke shprehur dhimbjen e thellë të skuadrës dhe stafit teknik për humbjen e lojtarit.

Në një video të publikuar nga Federata Portugeze e Futbollit (FPF), Martínez u shpreh: “Të gjithë jemi të prekur nga kjo tragjedi. Jemi të shkatërruar. Mendimet tona shkojnë për bashkëshorten e tij, Rute, për tre fëmijët e tyre, për familjen dhe për miqtë e Diogo Jotës dhe André Silvës.”

Trajneri theksoi se brenda kombëtares portugeze është ndërtuar një frymë që shkon përtej futbollit, një familje e vërtetë ku Jota kishte një vend të pazëvendësueshëm: “Diogo ishte një pjesë e rëndësishme e kësaj familjeje – brenda dhe jashtë fushës. Profesionalizmi i tij dhe besimi ishin ngjitës dhe shembullor. Në fushë, ai e vishte fanellën me krenari dhe performanca e tij ishte në nivel botëror.”

Martínez përfundoi fjalimin e tij me një reflektim të dhimbshëm për jetën dhe humbjet që ajo sjell: “Ndjejmë dhimbjen e familjes dhe në këtë tragjedi, e vëmë në pikëpyetje vetë jetën. Portugalia do të ndjejë mungesën e një prej heronjve të saj.”

Diogo Jota, sulmuesi 28-vjeçar i Liverpool-it dhe kombëtares portugeze, humbi jetën së bashku me vëllain e tij në një aksident tragjik automobilistik pranë kufirit Spanjë-Portugali, më 3 korrik. Vdekja e tij ka sjellë një valë trishtimi jo vetëm në Portugali, por në të gjithë botën e futbollit.