Në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit u zhvillua takimi i radhës i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, ku u prezantua Plani i Veprimit për Dokumentin e Politikave të Arsimit të Lartë 2030 dhe ecuria e reformave në kërkimin shkencor.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e këtij procesi të thelluar reformues dhe shprehu vlerësimin për kontributin e aktorëve të sistemit të arsimit të lartë.
“Ne e vlerësojmë kontributin e dhënë nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe i gjithë stafeve akademike, të cilët na janë bashkuar në rrugëtimin për ta bërë arsimin e lartë konkurrues dhe në përputhje me standardet e BE-së.
Kemi hedhur një hap cilësor përmes ligjit të ri për shkencën dhe tashmë jemi në fazën e finalizimit të akteve nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm. Është një proces voluminoz që kërkon bashkëpunim dhe përkushtim nga të gjithë aktorët.”, tha Ministrja Manastirliu.
Plani i Veprimit i prezantuar gjatë takimit parashikon objektiva konkrete për periudhën 2025-2028, që lidhen me përmirësimin e ofertës akademike, profilizimin e universiteteve, rritjen e cilësisë dhe ndërkombëtarizimin.

“Plani i Veprimit për zbatimin e Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030 synon transformimin rrënjësor të arsimit të lartë në vend. Në qendër të tij janë katër shtylla kryesore, me masa konkrete dhe objektiva të matshëm. Së pari, përmirësimi i ofertës akademike dhe fuqizimi i kapitalit njerëzor. Kjo do të thotë rishikim programesh, zhvillim modulesh të reja për aftësi digjitale, gjuhë të huaja dhe soft skills, si dhe krijimi i programeve ndërdisiplinore që përgatitin më mirë studentët për tregun e punës. Së dyti, forcimi i lidhjes me tregun e punës dhe profilizimi i universiteteve. Do të realizojmë një analizë kombëtare dhe rajonale për nevojat profesionale, do të fuqizojmë zyrat e karrierës dhe do të mbështesim profilizimin sipas zhvillimit rajonal. Së treti, vendosim theksin te ndërkombëtarizimi dhe inovacioni. Do të shtojmë marrëveshjet me universitete të huaja, do të hapim programe të përbashkëta, do të mbështesim mobilitetin e stafit dhe studentëve dhe do të fuqizojmë kapacitetet për aplikime në fondet europiane si Erasmus+, Horizon Europe dhe IPA. Së katërti, arsimi i lartë si katalizator i zhvillimit social, ekonomik dhe digjital. Do të krijojmë partneritete me pushtetin vendor dhe biznesin, do të integrojmë module për zhvillimin e qëndrueshëm dhe qytetarinë aktive, dhe do të avancojmë me digjitalizimin e plotë të arsimit të lartë.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu duke shtuar se të gjitha këto masa do të shoqërohen me indikatorë të matshëm, nga numri i programeve të riorganizuara, te punësimi i të diplomuarve, te pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare dhe vlerësimi përmes rankimeve globale, sepse synimi ynë është i qartë arsimi i lartë në Shqipëri duhet të jetë në lartësinë e standardeve europiane.
Në fund të takimit, Ministrja bëri thirrje për angazhim të përbashkët të gjithë institucioneve publike dhe private për zbatimin e këtij plani ambicioz dhe transformues të arsimit të lartë në Shqipëri.