Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se si mund të asistohet falas për qytetarët që kanë nevojë për shërbimet e-Albania.
Rama thotë në postimin e tij se mund t’i drejtohen pa pagesë zyrave të bashkive dhe njësive administrative përkatëse në çdo qytet të vendit.
Postimi i Kryeministrit:

“Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e platformës e-Albania për shërbime të caktuara, mund t’i drejtohen në çdo qytet zyrave të bashkive, si dhe njësive administrative përkatëse, për të marrë shërbimin e kërkuar, FALAS. Çdo subjekt privat (noter, avokat apo zyrë tjetër) që kërkon pagesë për shërbime të ofruara nga e-Albania është në shkelje të ligjit dhe mund të denoncohet pranë institucioneve përkatëse e sanksionohet deri në heqjen e liçencës.”

Kryeministri thekson gjithashtu se çdo subjekt privat që përfiton financiarisht duke ofruar ndihmë për shërbime që janë pjesë e platformës e-Albania, është në kundërshtim me ligjin dhe rrezikon ndëshkime ligjore, përfshirë edhe humbjen e licencës.

Kujtojmë se këtë të hënë Kryeministri Rama ka thënë në mbledhjen me dyer të mbyllura me drejtuesit politik, deputetët e Tiranës dhe drejtorët e bashkisë Tiranë, se duhte të ndiqen penalisht të gjitha ato subjekte që japin shërbim me pagesë për asistencën në e-Albania.