Pas një gare të fortë në zgjedhjet e 11 majit, Ina Majko, e njohur si aktiviste e komunitetit rom dhe pjesë e listës së Partisë Socialiste për qarkun Vlorë, nuk arriti të zgjidhej deputete në të njëjtin qark, por duket se nuk ka humbur pozicionin në politikë.

Këshilli i Ministrave ka vendosur sot ta emërojë atë zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në të njëjtën kohë, nga detyra është shkarkuar Niko Hyka, duke hapur kështu rrugën për ndryshime në ministri.

Ina Majko ishte pjesë e listës jo të sigurt të Partisë Socialiste në Vlorë, ku përfaqësonte komunitetin rom. Kujtojmë se kryeministri Edi Rama, gjatë fushatës së 11 Majit, tha se edhe nëse ajo nuk zgjidhej deputete, do të ishte pjesë e qeverisjes.

V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Ina Majko emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.