Pas takimit të një dite më parë, kryeministri Edi Rama mblodhi sërish sot deputetët aktualë të qarkut të Tiranës, ata të zgjedhur më 11 maj, si dhe përfaqësuesit e bashkisë. Kjo për shkak se një pjesë e deputetëve nuk ishin në takimin e djeshëm, pasi ishin të pranishëm në seancën e fundit plenare në Kuvend.

Mësohet se Rama u ka kërkuar deputetëve që të evidentojnë problematikat e qytetit për dy javë, të kenë kontakte me qytetarët dhe më pas t’i raportojnë në një tjetër takim. Do të jetë drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu dhe kryetarja e komanduar e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani që do të bëjnë ndarjen e grupeve të punës për deputetët dhe drejtuesve të njësive administrative.

Ndarja e punës do të bëhet në disa grupe pune, të cilat paraprakisht janë ndarë në këtë mënyrë:

Hapësirat publike në krye të punës do të jetë Ogerta Manastirliu dhe Anuela Ristani

– Çështjen e trafikut – në krye të punës do të jetë Blendi Gonxhja dhe Enton Punavija.

– Financat do të mbikëqyren nga Petrit Malaj dhe Delina Ibrahimaj.

As në këtë mbledhje nuk është folur për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës.

Në mëngjes, para se të niste mbledhja, Rama u pa teksa hyri në selinë rozë me një bllok në dorë.