Shkolla e re 9-vjeçare “Angela Merkel” në Kamzë hap dyert në shtator për të pritur mbi 1 300 nxënës me standardet europiane tanimë të afirmuara si standarde në shumicën dërrmuese të shkollave të kësaj bashkie.

Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë duke shtuar se standardet europiane të saj tashmë janë vendosur edhe për rreth 400 shkolla të reja që janë ndërtuar në mbarë vendin.

Infrastrukturat arsimore të transformuara sipas modeleve më të mira të shkollave europiane, janë realitet prej vitesh tashmë në qytetet e vendit, ku procesi po vijon me investime të reja që aktualisht ndodhen në faza të ndryshme zhvillimi.

Shkolla e re do të mirëpresë 1300 nxënës me 38 klasa komode, 10 laboratorë, bibliotekë, terrene sportive e hapësira rekreative, e konceptuar që të shërbejë edhe si një pikë sociale për komunitetin.

Shkolla ndodhet 800 metra nga qendra e qytetit dhe është e formuar nga 5 nivele të ndryshme, një nën tokë dhe 4 mbi tokë, ndërsa në 60 metra në distancë nga shkolla, është vendosur një mbikalim për këmbësorët për kalimin e sigurt të nxënësve.

Shkolla e re i shtohet zinxhirit të 18 shkollave të rindërtuara dhe rehabilituara në këtë bashki, me standarde evropiane, duke zgjeruar kapacitetet për komunitetin e Kamzës dhe zonave përreth.