Ekipi ligjor i ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar me shqetësim ndaj publikimit në media të një takimi të pritshëm mes avokatëve të tij dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që sipas tyre do të mbahet nesër. Në deklaratë thuhet se kjo është një tjetër dëshmi e një taktike të paligjshme për të ndikuar në perceptimin publik mbi çështjen.

“Jemi thellësisht të shqetësuar që, praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj, vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut”, thuhet në deklaratë.

Sipas mbrojtjes, këto publikime janë bërë në mënyrë të përsëritur që nga dita e arrestimit të Veliajt, duke synuar, sipas tyre, paragjykimin e çështjes dhe krijimin e një narrative për fajësinë e tij.

Ata akuzojnë SPAK-un për mosmarrje masash ndaj zbulimit të të dhënave hetimore, duke e konsideruar këtë si një bashkëpunim të heshtur për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal, që ka të bëjë me zbulimin e akteve sekrete të hetimit.

Sipas burimeve të referuara nga media, SPAK pritet të njoftojë zyrtarisht nesër akuzën dhe përfundimin e hetimeve, 163 ditë pas arrestimit të Veliajt. Avokatët thonë se kjo do të jetë hera e parë që klienti i tyre do të ketë mundësinë të njihet me provat, të paraqesë qëndrimin e tij dhe të kundërshtojë akuzat.

Veliaj, thuhet në deklaratë, “kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje” dhe e cilëson ndalimin e tij si “të paarsyeshëm, të panevojshëm dhe joproporcional”, duke argumentuar se kjo situatë dëmton si të drejtat e tij si qytetar, ashtu edhe administrimin e qytetit të Tiranës.

Ask ChatGPT