Rriten ndjeshëm pagesat dhe trasaksionet në euro në ekonominë shqiptare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në periudhën janar maj në vend janë realizuar rreth 2.4 miliardë euro trasaksione në monedhën europiane.

Kjo vlerë rezulton të jetë e barabartë gjysmën e pagesave që janë realizuar përgjatë gjithë vitit 2024 duke konfirmuar një tendencë të përdorimit të lartë të monedhës europiane në ekonominë shqiptare.
Këto të dhëna konfirmojnë sasisë së lartë të eurove që qarkullojnë në ekonominë shqiptare duke bërë që euro të qëndrojë në kufijtë e 98 lekëve. Zyrtarisht shtimi i fluksit të euros lidhet me fluksin turistik, remitancat por edhe investimet sidomos në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti prurjet e turistëve arritën në 788 milionë euro nga 624 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë të huajit investuan 362 milionë euro në Shqipëri në tre muajit e parë të këtij viti, me rritje prej 2% krahasuar me vjet.

Pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka rritur rezervën valutore duket se kjo nuk ka dhënë efekte në kursin e këmbimit.
Rritja e numrit të transaksioneve në euro është një tregues pozitiv në formalizimin e ekonomisë. Për këtë vit banka qendrore parashikon të tërheqë nga tregu rreth 350 milionë euro për efekt të rezervës valutore por edhe për të stabilizuar kursin e këmbimit.