Si pasojë e tempertaturave të larta dhe erërave të forta, situata me zjarret është rënduar në Kosovë.

Sipas Agjencisë për Menaxhim Emergjent, në gjithë territorin e Kosovës situata e përcjellë nga Qendra Operative e Agjencisë rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit, 17 nga ato janë lokalizuar, derisa 12 vatra zjarri mbeten aktive.

Agjencia ka apeluar qytetarët të mbajnë kujdesin e shtuar, të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërohen menjëherë zjarrvëniet tek autoritetet.

Po ashtu, me urdhër të Policisë së Kosovës, Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT ) ka bërë ndërprerjen e energjisë elektrike në Nënstacionin Prizreni 1 dhe Prizreni 3.

Për shkak të zjarreve të mëdha në rajone të ndryshme të vendit, veçanërisht në Prizren, në Mitrovicë dhe në Gjakovë janë dëmtuar asetet elektroenergjetike të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) duke lënë një numër të caktuar të konsumatorëve pa furnizim me energji elektrike.