Për herë të parë, tetë shkolla fillore nga Rozhaja, në Mal të Zi, kaluan kufirin drejt Shqipërisë. Jo si turistë, as si të huaj por si bij që vijnë të kërkojnë shtëpinë e origjinës. Në këtë udhëtim të paharrueshëm, organizuar nga fondacioni “Trojet tona” në SHBA, dhjetëra nxënës bashkë me prindërit e tyre morën rrugën e kujtimeve, edhe pse pa i folur fjalët e gjyshërve të tyre.
Udhëtimi nisi në Tuz, u ndal në Shkodër dhe më tej në pika të tjera historike të Shqipërisë. Udhëtim jo vetëm gjeografik, por dhe emocional. Mes rrugëve të lashta, kalldrëmeve që ruajnë hijet e së kaluarës, fëmijët vështronin me kuriozitet jo vetëm peizazhet, por edhe vetveten.
Ndonëse nuk e flasin shqipen, shumë nga këta fëmijë e ndjenë që janë në vendin e tyre. Ata kërkonin me sy atë që s’mund ta thonë me fjalë historinë e tyre të pashkruar. Një histori që gjyshërit e tyre ua kanë përcjellë me gojë, me këngë, me kujtime. Dhe ndonëse gjuhën e kanë të huaj, gjaku është kujtesë që nuk fshihet.
Në Shkodër, në Tuz dhe në çdo vend ku u ndalën, këta nxënës u përballën me copëza identiteti që kërkonin t’i ngjisnin si mozaik në shpirtin e tyre. Disa prekën për herë të parë flamurin kuq e zi, të tjerë dëgjuan për herë të parë emra të mëdhenj të historisë shqiptare. Për të gjithë, kjo ishte një dritare e hapur drejt vetëdijes.
Ishte më shumë se një vizitë. Ishte një rikthim. Një përpjekje për t’i dhënë kuptim origjinës, për të kuptuar rrënjët e tyre të lashta. Dhe në këtë rrugëtim, edhe pse fjalët ishin të pakta, emocionet flisnin qartë, Shqipëria nuk është vetëm një shtet. Është një ndjesi. Një kujtim i ruajtur në gjak, në gjuhë që mund të jetë harruar, por që zemra s’e ka lënë kurrë.