Fenomeni i votave të pamerituara është vënë re edhe në kutitë e qarkut Fier, gjatë procesit të rinumërimit që vijon në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”.

Nga kandidatët e koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Silva Hasaj rezulton me numrin më të lartë të votave të pamerituara. Deri më tani, rezulton se ka 624 vota më shumë se sa janë në kuti.

Nga ana tjetër, Ledion Çala është kandidati i opozitës që i janë hequr padrejtësisht votat më shumë se të tjerët. Nga rinumërimi, del se ai ka 112 më shumë në kuti se sa ishin në procesverbalë.

Kërkesa për rinumërimin e Fierit ishte e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, i cili pretendon një mandat, për t’ia marrë Partisë Socialiste. E që kjo të ndodhë i duhen 517 vota të cilat deri më tani nga kutitë e rinumëruara duket një mision i vështirë.