Nga Erion Delvina

Politikë e vjetër është që djemtë inteligjentë t’u hapin rrugë mediokërve, t’i ndjekin, t’u nënshtrohen, t’u përtypen edhe kur u hahet fjala.

Doni t’jua tregoj me emra, demek nuk i dini, tufat me tituj shkencorë e fjalëbukur, që ulën kryet e ndoqën rrugëtimet e pafundme të Berishës, Metës dhe Ramës?

Nuk është politikë e vjetër, që shpesh, inteligjentët t’ua kujtojnë me stil mediokërve vendin. Në Shqipëri kjo është e re! Bash kjo është politikë e re!

A është e bukur? E shëndetshme? Si fillim duket jo dhe aq. Mirëpo shfletimi i librit të vjetër të pluhuros disi. E disi alergjia bën të vetën. Edhe tështin. Edhe të krruhen sytë në fillim. Pastaj të çelen. Imuniteti nis e të mbron. Rritet.

Andaj moralin publik të dashamirësve të partive të reja se fintja e Shabanit me dajën, e kthen këtë të fundit te politika e vjetër, unë e gjej krejt pa vend.

Fare të palidhur.
Krejt e kundërta më duket e vërtetë!

E shoh ndryshe nga masa: Në atë lëvizje minimaliste me precizion të lartë pashë një politikan inteligjent. Krejt ndryshe. Që nuk hap rrugë nga Njëshit.

Shabani po kushtëzon fjalëmbajtje. Politika e vjetër nuk e bënte.

Jua shpjegoj edhe me Teori Loje po të doni: po nuk dua ta rëndoj me filozofi mëngjesore këtë status. Ndërrimi i rregullave të lojës në lojë e sipër, në një lojë si politika që është e përsëritshme, të jep faturë në besueshmëri.

Shabani nuk po ofrohet të jetë Tritan Shehu i Berishës 2.0 me theks jugor. Këtë po bën! Për këtë “po e shajnë”.

Sikur sapo t’u jepej rasti Ilir Metës t’ia prisnin rrugën ata burra inteligjentë dhe intelektualë që e ndiqnin në kapituj të ndryshëm në LSI, apo Berishës kur po egërsohej, apo Nanos kur i kishte humbur pasioni, apo Ramës oreksmadh për pushtete që nuk i takojnë, sot Shqipëria do të ishte Luksemburgu i Lindjes.

Lëvizja e Shabanit në distancë duket një komplot oborri, otomanizëm, por po ta vëzhgosh ftohtë është një sistem inteligjent dhe bashkëkohor që po instalohet: “për budalla nuk më merr dot!”.

Minimalisht sikur në politikën e vjetër, kushdo që ka investuar në vete, kushdo që i thoshte vetes intelektual të bëhej pengesë për rrugën e tiranucëve, aq sa mundej, ashtu si mundej, aq sa për të mos i marr si të mirëqenë, aq sa për të mos ecur dot zbathur mbi trupat e tyre, tjetërkund do të ishim.

Një kafe nuk e kam pirë me Shabanin, por me të jam!- sa i takon këtij rasti.

“E kanë rrudhur lojën në një mandat”, thonë.
Ç’thoni more?
E shpjegon Teoria e Lojës, prapë, shpërblimi i fitores së lojës së tyre, të kësaj loje, tani dhe këtu, në këtë kontekst të dhënë, aq është: një mandat.
Nuk janë as PS, e as PD.

E me qenë se jemi këtu, nga këtu ngre edhe shqetësimin kryesor: ku ishin, ku janë, ku do të jenë endrishabanët e PS dhe PD?