Flamur Noka është sot numri dy i Partisë Demokratike. Në mungesë të Sali Berishës, ai është bërë protagonisti kryesor i aksionit opozitar. Tani imagjinoni një shoqëri që ka ecur përpara siç janë shqiptarët e këtyre 10-15 viteve të fundit, të shohë te figura e Flamur Nokës një shpresë për të ardhmen dhe një alternativë ndaj mazhorancës socialiste. Është e pamundur.

Ligjërimi i tij, gjuha dhe argumentet që përdor, nuk kanë lidhje me realitetin dhe kërkesat e një elektorati me nivel mesatar. Më shumë ato i përkasin një periudhe parapolitike, ku politika bëhej me britma, me forcë dhe ku mbizotëronte dhuna.

Po të ndalesh pak më gjatë, do kuptosh se edhe mimika dhe plastika e Nokës janë imitime të zbehta të Berishës. Shqiptarët mezi kanë duruar një Sali për tridhjetë vjet — imagjino tani të durojnë edhe kopjen e tij të zbehtë dhe me shumë mungesa.

Ky është problemi thelbësor i opozitës sot: mungesa e alternativës reale dhe gara mes tyre për t’u “flamurnokëzuar”, për të kopjuar një model që është refuzuar tashmë nga koha dhe nga vetë qytetarët.

Kjo është fatkeqësia më e madhe e Partisë Demokratike: një grup parlamentar që nuk prodhon ide, por vetëm zhurmë. Prandaj mos e fajësoni popullin që nuk ju voton. Përgjigjen e keni përballë pasqyrës: mjafton të shihni Flamur Nokën për të kuptuar se sa shumë ka përparuar shoqëria shqiptare dhe se sa shumë ka mbetur prapa Partia Demokratike.