Ish-banori i Big Brother Vip dhe moderatori i njohur, Meriton Mjekiqi së bashku më vëllain e tij janë shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Të dy, dyshohet se janë përfshirë në një përplasje fizike me disa persona. Nga përplasja, sipas mediave të Kosovës, ka mbetur i plagosur një 29-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, ndërkohë autoritetet kanë nisur veprimet për lokalizimin dhe arrestimin Meritonit dhe të vëllait. Policia ka bastisur shtëpinë e tyre në Obiliq, por Meritoni dhe vëllai i tij, Rinori nuk janë gjendur aty.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare në lidhje me versionin e tyre të ngjarjes. Disa burime të njohura me hetimet kanë bërë me dije për mediat e Kosovës, se lëndimi i 29-vjeçarit është klasifikuar nga autoritetet si “lëndim i rëndë trupor”.
Ndërkohë, burime të sigurta për mediat e Kosovës, konfirmojnë se Meritoni ndodhet jashtë territorit të Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërsa, burime pranë prezantuesit kanë bërë të ditur se ai nuk ka qenë aspak në dijeni se ndaj tij kishte nisur një procedurë hetimore apo urdhër kërkimi. Megjithatë, për momentin, mbetet e paqartë natyra e incidentit dhe roli i Mjekiqit.