99% e të rinjve shqiptarë të moshës 16–29 vjeç ishin online në internet çdo ditë gjatë vitit 2024, sipas raportit të fundit të “Eurostat”. Në vendet e Bashkimit Europian, niveli i përdorimit të internetit të kësaj grupmoshe është 97%.

Ndërsa përqindja e popullsisë së përgjithshme që përdor çdo ditë internetin në Shqipëri është 83%, duke krijuar një hendek prej 14 pikë përqindjeje midis të rinjve deri në 29 vjeç dhe pjesës tjetër të shoqërisë.

Por koha e qëndrimit online, në rrjete sociale, punë online apo aktivitete të tjera në internet, nuk përkthehet automatikisht në aftësi digjitale. Sipas Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të përgatitjes digjitale në Europë. Vetëm gjysma e të rinjve shqiptarë, 50% të moshave 16-29 vjeç, zotërojnë aftësi digjitale bazë, shumë poshtë nga mesatarja e BE-së, rreth 71%.

Në Shqipëri nuk ka dallime mes gjinive, djemtë dhe vajzat zotërojnë përqindje të barabartë aftësie digjitale bazë. Por kjo nuk është rasti në shumicën e vendeve të BE-së. Në nivel evropian, vajzat janë më të avancuara se djemtë sa i përket zotërimit të këtyre aftësive. Në vitin 2023, 73% e vajzave në vendet e BE-së, raportohet se kishin aftësi digjitale bazë, krahasuar me 69% të djemve.

Diferenca më e theksuar u regjistrua në Kroaci, ku 94% e vajzave të reja zotërojnë aftësi digjitale bazë, krahasuar me vetëm 80% të djemve.