Transferimi rekord i David Hancko te Al Nassr i Cristiano Ronaldos dukej se ishte gati për t’u përfunduar. Feyenoord parashikonte tarifën më të lartë në historinë e vet, rreth 40 milionë euro dhe mbrojtësi sllovak tashmë i kishte thënë lamtumirë shokëve të ekipit dhe stafit përpara se të fluturonte për në Austri për t’u bashkuar me përgatitjet e klubit saudit. Por diçka shkoi në mënyrën më të keqe.

Me të mbërritur në Saalfelden, ku stërvitet skuadra e Jorge Jesus, Hancko u kthye mbrapsht nga hoteli. Sipas zëdhënësit të Feyenoord, Raymond Salomon, lojtari “nuk ishte më i mirëpritur dhe nuk pritej në stërvitje. Kjo është e padëgjuar dhe skandaloze”.

Klubi holandez kishte arritur një marrëveshje financiare me sauditët dhe Hancko gjithashtu kishte dhënë miratimin e tij, por Al Nassr nuk e kishte kthyer ende kontratën e nënshkruar, duke bërë një kthesë të papritur në minutën e fundit që i habiti dhe i tronditi të gjithë.

Lojtari u trajtua me mungesë respekti total, është një situatë e paprecedentë. Ne shprehim solidaritetin tonë”, shtoi Salomon.

Sipas shtypit holandez, disa ndryshime në kryesinë e lartë të klubit saudit mund të kenë kontribuar në prishjen e marrëveshjes, më së shumti largimi i mundshëm i Fernando Hierros.

Për momentin, Hancko do bashkohet në stërvitje me Feyenoord, por e ardhmja e tij mund të jetë diku tjetër. Atletico Madrid, Chelsea dhe PSG mbeten në kërkim të shërbimeve të qendërmbrojtësit 27-vjeçar.