Chelsea ka vendosur një çmim prej 30 milionë eurosh për kartonin e sulmuesit shqiptar Armando Broja, pavarësisht minutazhit të kufizuar që 23-vjeçari ka pasur gjatë sezoneve të fundit. Sipas raportimeve të “The Athletic”, klubi londinez kërkon 25 milionë paund (afërsisht 30 milionë euro) për lojtarin e rritur në akademinë e tij, duke e pozicionuar si një operacion të vështirë për klubet e interesuara.
Dy skuadra gjermane, Stuttgart dhe RB Leipzig, kanë shfaqur interes konkret për Brojën, ndërkohë që më herët janë përmendur edhe Parma dhe PSV Eindhoven si destinacione të mundshme. Megjithatë, çmimi i vendosur nga Chelsea konsiderohet i lartë për një lojtar që ka hasur vështirësi në ecurinë e tij sportive, përfshirë lëndime të përsëritura dhe mungesë vazhdimësie.
Evertoni, që e huazoi Brojën gjatë sezonit të kaluar, është tërhequr nga negociatat, pikërisht për shkak të kërkesave financiare të konsideruara si të tepruara nga ana e klubit londinez. Ekspertët e merkatos e shohin këtë çmim si të paarsyeshëm, përveç rasteve kur në garë përfshihet ndonjë klub nga Arabia Saudite, siç ka ndodhur më parë me João Félix.
Në ndryshim nga sulmuesi portugez, Broja ende nuk ka ndërtuar një profil të fortë ndërkombëtar që të justifikojë një investim të tillë, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Chelsea-t për të përfituar shumën e kërkuar nga shitja e tij. Për momentin, e ardhmja e 23-vjeçarit mbetet e pasigurt, me klubin që duhet të zgjedhë midis qëndrimit në stol ose uljes së kërkesave për një transferim të mundshëm.