Nga Prof. Dr.-Ing. Andonaq Londo Lamani- Rektor i TCT*

Në 1960-ën shkrimtari Ismail Kadare shkroi poemën “Ëndërr Industriale”. Ishin vitet kur në disa rrethe të vendit u hapën uzinat e specializuara në prodhimin e makinerive, si dhe u ndërtuan objekte të rëndësishme industriale. Pas afro treçerek shekulli bota po përjeton revolucionin e katërt industrial apo Industria 4.0, e karakterizuar nga automatizimi në rritje dhe përdorimi i makinave inteligjente, larg së cilës nuk mund të mbetet as Shqipëria. Nëse Kadare do të ishte mes nesh dhe do të shkruante sërish një poemë, me siguroi do ta titullonte “Ëndërr e Inovacionit dhe Teknologjisë”.

Sot po jetohet në një epokë të jashtëzakonshme të inovacionit dhe zhvillimit teknologjik, një periudhë që ka përfshirë në mënyrë thelbësore çdo aspekt të jetës, jo vetëm atë të prodhimit dhe të krijimit, por ka ridimensionuar mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit. Në epokën e Industrisë 4.0, digjititalizimi është bërë gur themeli i konkurrueshmërisë dhe efikasitetit në ndërmarrjet industriale, e për rrjedhojë edhe teknologjitë janë bërë digjitale. Tashmë prodhimi tradicional po kombinohet me teknologjitë digjitale, duke sjellë efikasitet të lartë në prodhueshmëri, optimizimin e plotë përmes AI-së, kryerjen e proceseve të komplikuara përmes robotikës etj.

Në këtë peizazh global që ndryshon dita ditës, askush nuk e ka luksin për të qëndruar indiferent. Përshtatja dhe integrimi nuk është thjesht një zgjedhje, është domosdoshmëri. Si çdo vend tjetër, edhe Shqipëria ka shansin të lundrojë në ujërat e kësaj epoke të re, e pse jo të përjetojë “ëndrrën e teknologjisë digjitale”.

Kjo nuk është utopi, është një objektiv i realizueshëm. E para, sepse teknologjia nuk kërkon traditë. Nuk kërkon që një vend të ketë kaluar të gjitha etapat e revolucioneve industriale për të prekur sot Industrinë 4.0. Ajo kërkon një terren mikëpritës, ku ka angazhim, ka vullnet, ka aftësi për të kuptuar atë se çfarë po ndodh realisht nëpër botë dhe cilat janë projeksionet e së ardhmes.

Të gjitha këto do të bëhen nga potenciali njerëzor, nga brezi i teknologjisë siç edhe etiketohet në përditshmërinë tonë. Janë këta të rinj, nxënës e studentë që po jetojnë më intesivisht, pasi teknologjia është futur në çdo proces të jetës së tyre, në atë të studimeve, në kryerjen e aplikimeve, në kryerjen e pagesave etj.

Sot kemi mjaft shembuj suksesi të të rinjve dhe të rejave shqiptare që kanë spikatur në fushën inovacionit. Rasti më i mediatizuar dhe më i njohur ndërkombëtarisht është ai i Mira Muratit, vajzës nga Vlora, e cila po ngre startup-in e saj miliona dollarësh për të sjellë një koncept të ri të dobishmërisë së Inteligjencës Artificiale dhe të përdorimit të saj më me përgjegjshmëri. Nuk mungojnë emra të tjerë të krahasueshëm me të, që i përkasin fushës së biznesit, të cilët përmes përdorimit të teknologjive të reja, integrimit të AI-së, kanë krijuar aplikacione, startup-e të suksesshme që ofrojnë produkte apo shërbime të ndryshme për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.

Investimi në teknologji, ashtu siç edhe e kanë dëshmuar startup-et, janë një biznes fitimprurës dhe kanë një kthim të shpejtë të investimit të kryer. Sot nëpër botë janë mjaft të njohura bizneset e frymëzuara nga modelet Silikon Valley, qendra më e madhe e teknologjisë dhe inovacionit, njëkohësisht shtëpia e kompanive më të spikatura të kësaj fushe, si Apple, Meta etj. Edhe në Shqipëri ky është një trend në lulëzim, përmes kompanive të reja, jo aq të fuqishme sa ato ndërkombëtaret por që po sjellin një frymë në krijimin dhe ndërtimin e një biznesi.

Me gjithë përmirësimet, Shqipëria renditet ulët në treguesit e inovacionit siç është Indeksi Global i Inovacionit. Raporti i këtij indeksi për vitin 2024 e vë Shqipërinë në vendin e 84 ndër 133 ekonomitë e përfshira në studim. Kjo do të thotë, se përvetësimi i këtyre teknologjive dhe strategjive të reja është i domosdoshëm për të rritur qëndrueshmërinë dhe për të përparuar drejt një të ardhmeje industriale më inovative dhe të fuqishme. Në këtë kuptim, përveç mbështetjes së qeverisë dhe organeve të tjera zyrtare apo të industrisë, një rol të rëndësishëm kanë universitetet në formimin e kapaciteteve intelektuale e njerëzore që ndërtojnë mendësinë e re dhe përvetësojnë njohuritë e nevojshme për të jetuar në Industria 4.0.
Pas dhjetë vitesh histori suksesi, me fokus në formimin e zbatuesve dhe teknikëve të lartë, Kolegji Profesional i Tiranës ka kaluar në një stad të ri zhvillimi si Tirana College of Technology, duke ofruar katër programe të reja Bachelor në disa nga fushat më të rëndësishme të industrisë në Shqipëri dhe botë, siç janë: Inxhinieria Mekanike, Inxhinieria Civile, Inxhinieria Elektronike dhe Inxhinieria Software. Këto fusha janë më të ekspozuarat ndaj zhvillimeve të teknologjisë digjitale, të cilat kërkojnë njerëz, profesionistë të rinj të përgatitur për t’u përballur me tregun e punës në këtë botë të madhe ndryshimesh e përparimesh teknologjike gjithnjë në rritje.

Sfida jonë e përbashkët si Tirana College of Technology është të punojmë së bashku që teknologjia të bëhet një forcë pozitive dhe transformuese në jetën tonë, në ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Është privilegj për mua të jem pjesë e një ekipi që buron nga bota akademike dhe që është i lidhur ngushtësisht me teknologjinë dhe risitë që ajo ka sjellë ndër vite në vendin tonë.

* Prof. Dr.-Ing. Andonaq Londo Lamani është rektori i Tirana College Technolog, nja kolegj universitar që ofron përveç 8 programeve profesionale edhe 4 programe Bachelor.