Shqipëria vazhdon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, si dhe të platformave informative të lidhura me turizmin, si një destinacion mbresëlënës për bukuritë e saj natyrore dhe turizmin në zhvillim.
Së fundmi, “Si Viaggia” një portal italian i njohur që ofron informacion dhe sugjerime për udhëtime, ka rekomanduar Shqipërinë si një destinacion plot surpriza magjepsëse të ofruara nga natyra.
Në një artikull të veçantë dedikuar plazheve më të qeta dhe të paprekura të vendit tonë, “Si Viaggia” e përshkruan bregdetin shqiptar si një vend ku “deti është kristalor dhe bukuria është sugjestionuese”. Në artikull theksohet se Shqipëria ofron një përvojë ndryshe për pushuesit që kërkojnë relaks dhe natyrë të virgjër.
“Nëse jeni në kërkim të plazheve të qeta, këto janë rekomandime perfekte për ata që kërkojnë qetësi dhe një arratisje nga jeta e përditshme”, – shkruan SiViaggia, duke u ndalur veçanërisht në bukurinë e plazheve më të fshehura, me natyre të pandotur dhe të pacenuar si Gjipea, Pasqyrat, Shen Andreu etj, të cilat “Si Viaggia” i cilëson si “xhevahire të Jonit” larg turmave dhe zhurmës, ku natyra ruan magjinë e saj te paprekur.
Ky vlerësim është një dëshmi tjetër e rritjes së imazhit pozitiv të Shqipërisë si destinacion turistik i preferuar në rajon dhe më gjerë.