Festa madhështore e 18-vjetorit të yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, po përballet me polemika të forta në Spanjë.
Ministria e të Drejtave Sociale i ka kërkuar Prokurorisë, Avokatit të Popullit dhe Zyrës për Luftimin e Krimeve të Urrejtjes të nisin një hetim për të verifikuar nëse gjatë eventit është shkelur ligji që ndalon shfaqjet denigruese ndaj personave me nanizëm, shkruan Marca.
Sipas Jesús Martín, Drejtori i Përgjithshëm për Personat me Aftësi të Kufizuara, janë ngritur dyshime se në festën e ditëlindjes janë përdorur persona me nanizëm në mënyrë denigruese, duke shkelur një ligj që është në fuqi prej gati tre vitesh, teksa fansat e lidhin menjëherë me një episod të “errët” nga seriali i njohur “Game of Thrones”.
“Një i ri me kaq shumë ndjekës dhe ndikim tek të rinjtë nuk duhet të organizojë festa të tilla. Ato kanë një efekt të menjëhershëm dhe të rrezikshëm te brezi i ri,” tha Martín për agjencinë EFE.
Ministria e drejtuar nga Pablo Bustinduy po përgatit një reformë ligjore që do ta cilësojë përdorimin publik të një personi me aftësi të nanizëm për argëtim si shkelje të rëndë, me gjoba që mund të shkojnë deri në 1 milion euro. Propozimi pritet të kalojë në Këshillin e Ministrave të martën.
“Ligji është për të gjithë: për të përulurit dhe për të fuqishmit. Nuk do të qëndrojmë duarkryq,” theksoi Martín, duke bërë thirrje për hetim të plotë dhe marrje të masave bazuar në përfundime.
Ndërkohë, Shoqata e Personave me Akondroplazi dhe Displazi të Tjera Skeletore me Nanizëm (ADEE), pjesë e konfederatës COCEMFE, ka bërë të ditur se ka paditur Lamine Yamal për, sipas tyre, punësimin e personave me nanizëm për qëllime argëtimi në festën e tij.
Në deklaratën e tyre zyrtare, organizata shprehet: “Kjo sjellje shkel jo vetëm ligjin, por edhe vlerat etike të një shoqërie që pretendon të jetë e barabartë dhe respektuese ndaj të gjithëve.”
Ligji në fuqi ndalon çdo lloj shfaqjeje apo aktiviteti ku personat me aftësi të kufizuara ose me nanizëm të përdoren për të nxitur tallje, përqeshje apo përbuzje, pasi këto veprime bien ndesh me dinjitetin dhe respektin njerëzor.
Hetimet pritet të Hedhin dritë mbi atë që ndodhi realisht në festën luksoze të organizuar nga futbollisti i ri, e cila u bë virale në rrjet për stilin e saj ekstravagant dhe tematikën gangster. Tani, ajo po përballet me kritika serioze përtej botës së showbiz-it.