Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë së Lexo.al një rast flagrant të zaptimit të hapësirës publike në Tiranë, përballë shkollës së njohur “Harry Fultz”. Denoncimi përfshin lokalin “Oppio Bar”, i cili sipas qytetarit ka uzurpuar hapësirat e përbashkëta duke penguar banorët të kenë akses në pronën e tyre dhe të parkojnë makinën.
“Përshëndetje, dua të nxjerr një denoncim për zaptim të hapësirave publike, meqë dhe ju keni postuar raste dhe keni thënë që jeni pro kësaj fushate. Përballë Harry Fultz, bar Oppio. Na ka zënë dritaret e pallatit edhe nuk na lënë të parkojmë. Nuk lejohet, thotë, se është e lokalit”, shkruan qytetari në mesazhin e tij drejtuar redaksisë.
Sipas tij, lokali ka bllokuar jo vetëm hapësirën e parkimit, por edhe pamjen dhe dritën e hyrjes së banesave, duke e trajtuar hapësirën publike si pronë private. Kjo situatë ngre shqetësime të mëdha për ligjshmërinë dhe mosveprimin e institucioneve përkatëse.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Tiranës dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, për të liruar hapësirat publike dhe për të rikthyer aksesin e komunitetit mbi të drejtën e tyre të përdorimit të përbashkët të ambienteve publike.
Lexo.al mbetet e angazhuar për të pasqyruar çdo denoncim qytetar dhe për të vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse.