Grupi politik i djathtë ekstrem “Identitet dhe Demokraci” (ID), të cilit i ka pasuar grupi i ri “Patriotët për Europën” në vitin 2024, është vënë në qendër të një hetimi për shpërdorim të fondeve të Bashkimit Europian.

Sipas një investigimi të përbashkët nga gazetat Le Monde, Die Zeit, Falter dhe programi televiziv Kontraste, bëhet fjalë për të paktën 4.33 milionë euro që dyshohet se janë shpenzuar në mënyrë të parregullt.

Një raport konfidencial i Drejtorisë së Përgjithshme të Financave të Parlamentit Europian vë në dyshim dhënien e mbi 700 mijë eurove për organizata jo-fitimprurëse, disa prej të cilave kanë lidhje të ngushta me partitë kombëtare që ishin pjesë e grupit ID. Përveç kësaj, rreth 3.6 milionë euro janë shpenzuar në kontrata me katër kompani të jashtme, kryesisht në fushën e komunikimit.

Ndër to përmenden Unanime dhe e-Epolitic, dy kompani që tradicionalisht kanë punuar me Rassemblement National të Marine Le Pen. Dy kompanitë e tjera janë të lidhura me një përfaqësues lokal të Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe me partinë FPÖ të Austrisë.

Problemi ligjor është se grupi “Identitet dhe Demokraci” është shpërbërë zyrtarisht, ndërsa pothuajse të gjitha partitë që e përbënin atë janë tashmë pjesë e grupit të ri “Patriotët për Europën”. Pavarësisht ndryshimit të emrit, strukturat organizative dhe njerëzit kyç, përfshirë sekretarin e përgjithshëm belg Philip Claeys, kanë mbetur të njëjtët.

Hetimi e vendos Parlamentin Europian përballë një dileme ligjore: si të adresojë keqpërdorimet kur subjekti që përfitoi fondet nuk ekziston më formalisht, por në thelb funksionon me të njëjtat struktura.