Bashkimi Evropian ka miratuar një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, në përpjekje për të goditur makinerinë e saj të luftës dhe për të ushtruar presion për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Paketa e 18-të e sanksioneve u dakordësua të premten nga ambasadorët e vendeve anëtare në Bruksel.

Masat e reja përfshijnë ndalimin e transaksioneve me 22 banka ruse, përfshirë edhe Fondin Rus të Investimeve Direkte dhe degët e tij. Gjithashtu, sanksionet ndalojnë përdorimin e tubacioneve nënujore Nord Stream, të cilat aktualisht janë jashtë funksionit, por që Rusia synon t’i rifillojë në të ardhmen.

Në kuadër të paketës, vendet e BE-së kanë rënë dakord të kthejnë çmimin tavan prej 60 dollarësh për fuçi për naftën ruse në një mekanizëm dinamik, që do të qëndrojë 15% më poshtë çmimit mesatar të tregut. Kufiri i ri do të nisë nga 47.6 dollarë për fuçi. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë mbështetur këtë ulje, ndryshe nga qëndrimi i mëparshëm në kuadër të G7.

Po ashtu, edhe 105 anije të tjera që i përkasin të ashtuquajturës “flotë në hije” cisterna të vjetra të përdorura nga Moska për të shmangur kufizimet e çmimit do t’u ndalohet qasja në portet dhe shërbimet e BE-së. Kjo e çon numrin total të anijeve të listuara në të zezë në mbi 400.

Përparimi në miratimin e kësaj pakete u bë i mundur vetëm pasi Sllovakia hoqi veton e saj. Vetoja nuk kishte lidhje direkte me sanksionet, por me pakënaqësitë e Bratislavës ndaj planit të Komisionit Evropian për heqjen graduale të lëndëve djegëse fosile ruse deri në fund të vitit 2027.

Si një vend pa dalje në det, Sllovakia ka kundërshtuar me forcë planin, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në rritjen e çmimeve, dobësimin e konkurrueshmërisë dhe kërcënimin ndaj sigurisë energjetike. Kryeministri sllovak Robert Fico, gjatë samitit të fundit të BE-së, kërkoi kompensim financiar për vendin e tij dhe ngriti shqetësime për një padi të mundshme nga kompania ruse Gazprom, për ndërprerjen e kontratës afatgjatë të gazit, e vlefshme deri në vitin 2034.

Komisioni Evropian ka argumentuar se ndalimi i importit të gazit do të klasifikohet si “forcë madhore” në gjykatat ndërkombëtare, duke mbrojtur kështu shtetet dhe kompanitë nga ndëshkime financiare.

Paketa e 18-të e sanksioneve shënon një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet e bllokut për të intensifikuar presionin ndaj Kremlinit, ndërsa lufta në Ukrainë vijon.