Tronditet qeveria spanjolle e kryeministrit Pedro Sanchez dhe patria e tij PSOE.
Një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste të Punëtorëve Spanjollë dha dorëheqjen sot, pas akuzave për ngacmim seksual nga disa punonjëse.
Francisco Salazar, i cili mbikëqyrte koordinimin institucional në rezidencën zyrtare të kryeministrit dhe së fundmi ishte emëruar në një rol kyç brenda strukturës organizative të PSOE-së, u detyrua të tërhiqej menjëherë pasi media spanjolle ‘elDiario’ publikoi dëshmitë tronditëse.
Në reagimin e tij, Salazar tha se nuk e kujtonte asnjë sjellje të papërshtatshme, por pranoi se “e kishte shqyrtuar me shqetësim të thellë” situatën. Ndërkohë, Moncloa ka nisur një hetim të brendshëm, megjithëse nuk është dorëzuar ende asnjë ankesë zyrtare, informon “La Repubblica”.
Skandali vjen në një moment kritik për Pedro Sánchez, i cili po përpiqet të rifitojë besimin e publikut pas një vale hetimesh për korrupsion brenda partisë së tij. Vetëm disa ditë më parë, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, Santos Cerdán – ish-sekretar organizativ i PSOE-së – u vu nën hetim për përfshirje në skemë ryshfetesh për kontrata ndërtimi. Cerdán është arrestuar dhe ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike, ndërsa është zotuar se do të mbrojë pafajësinë e tij.
Hetimet përfshijnë gjithashtu edhe ish-ministrin e transportit, José Luis Ábalos, dhe ndihmësin e tij, Koldo García. Të tre mohojnë akuzat.
Sánchez, që erdhi në pushtet në vitin 2018 me një platformë etike dhe antikorrupsion, u shpreh të shtunën se nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht thirrjeve në rritje për zgjedhje të parakohshme. “Kapiteni nuk largohet kur deti bëhet i trazuar,” deklaroi ai. “Unë do të qëndroj për të udhëhequr vendin drejt stabilitetit.”
Opozita e ka ‘shigjetuar’ kryeministrin socialist dhe kërkon largimin e tij dhe zgjedhje të parakohshme.