Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në prezantimin e Vëllimit të Dytë të “Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, tha se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik, në rrugëtimin drejt forcimit të institucioneve demokratike dhe anëtarësimit në familjen europiane. Ajo theksoi edhe rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe kontributin e saj në forcimin e shtetit të së drejtës në tërësi.

“Ky udhërrëfyes nuk është vetëm një përmbledhje teknike, por një burim referimi për të gjithë aktorët institucionalë dhe ligjorë, me qëllim ndërtimin e një sistemi më të drejtë, më të parashikueshëm dhe më efektiv, në funksion të qytetarëve. Për Kuvendin e Shqipërisë, ky udhërrëfyes shërben si një mjet i vlefshëm për të garantuar përputhshmërinë e legjislacionit me Kushtetutën dhe për të forcuar rolin mbikëqyrës të tij në një sistem demokratik.”, tha Spiropali.

Spiropali kërkoi qartësi ligjore mbi çështje të ndjeshme si mandati i anëtarëve të Gjykatës, dhe shpalli organizimin e një konference ndërkombëtare në tetor 2025, për nder të 70-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës.

“Inkurajoj Gjykatën Kushtetuese të shprehet qartë për çështje që lidhen me funksionimin e saj, përfshirë edhe çështjen e afateve të mandateve të anëtarëve. Qartësia ligjore per te shmangur ndikimet, keqkuptimet apo influencat jashtë saj, është thelbësore për forcimin e besimit publik dhe për funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve. Sot, gati një dekadë pas miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi, kemi arritur një transformim të thellë të sistemit: strukturor, kulturor e institucional. Ky transformim nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë: Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, tha Spiropali.

“Po ndaj me ju një lajm të rëndësishëm: Në tetor 2025, me rastin e 70-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, përvjetor i shënuar dje më 13 Korrik, Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë në Tiranë një konferencë ndërkombëtare, e cila do të fokusohet në reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe drejtësinë kushtetuese.”, shtoi më tej ajo.

Ajo përfundoi duke riafirmuar angazhimin e Kuvendit për mbështetjen e reformave, zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

“Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, forcimin e kushtetutshmërisë, zbatimin e ligjit, luftën ndaj pandëshkueshmërisë dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut – për një drejtësi të pavarur, të ndershme dhe profesionale, të ndërtuar mbi fakte, prova dhe standarde ligjore, integritet jo mbi perceptime apo interesa.”, u shpreh ajo.

“Ndërkohë, Kuvendi do të vijojë të tregojë kujdesin, vëmendjen dhe angazhimin e duhur për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si pjesë e kontributeve tona për forcimin e kushtetueshmërisë e ligjshmërisë.”, shtoi më tej Spiropali.