Me ftesë të Kryetares së Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Bullgari, ku do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit: Presidentin Radev, Kryeministrin Jeliazkov dhe Kryetaren e Parlamentit Kiselova.

Në ditën e parë të vizitës Spiropali u prit nga Kryeministri Rossen Jeliazkov. Ajo tha se Bullgaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Me Bullgarinë kemi marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera në të gjitha nivelet, të cilat mbështeten në miqësinë tradicionale dhe në lidhjet historike, kulturore e njerëzore midis dy popujve tanë. Bullgaria është një mbështetëse e vendosur e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, ashtu siç ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ku të dy vendet sot jemi partnerë të rëndësishëm e kontribues aktivë’, tha ajo.

Organizimi në Tiranë më 16 maj i Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian përbën një moment kyç në angazhimin në rritje të Shqipërisë për sigurinë dhe paqen në Europë.

Bullgaria është një partner ekonomik tradicional i Shqipërisë dhe mes vendeve tona ka mundësi të shumta bashkëpunimi në sektorët si infrastruktura, turizmi, energjia etj., të cilat ndihmojnë zhvillimin, ndërlidhjen, bashkëpunimin dhe integrimin e rajonit. Ndërtimi i Korridorit VIII është një investim strategjik i përbashkët, thelbësor edhe për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bullgarisë si edhe atë rajonal. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe të dy vendet po kontribuojnë për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Kryeministri Jeliazkov vlerësoi marrëdhëniet, partneritetin dhe miqësinë mes dy vendeve dhe rikonfirmoi mbështetjen e vendosur të Bullgarisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe bashkëpunimin për paqen e sigurinë në rajon e më gjerë.