Nga Ardi Stefa

Një nga shprehjet më të njohura të Sun Tzu në “Arti i luftës”, e cila mund t’i përshtatet realitetit shqiptar, politik, institucional apo social është:

” Nëse e njeh armikun dhe e njeh veten, nuk do të frikësohesh nga rezultati i njëqind betejave. Nëse nuk e njeh armikun por e njeh veten, do të fitosh disa dhe do të humbasësh disa. Nëse nuk e njeh as armikun, as veten, do të humbasësh çdo betejë. ”

Pse i shkon Shqipërisë?

Sepse shpesh, në politikën apo qeverisjen shqiptare:

Mungon njohja reale e problemeve (armikut/ kundërshtarit),

Ka një mbivlerësim ose mosnjohje e kapaciteteve vetjake (vetes),

Vendimet merren më shumë për fitore momentale, sesa për strategji afatgjatë.

Vendimet merren për të mposhtur kondërshtarin brenda llojit, sesa kundërshtarin e vërtetë.

Kjo shprehje mund të lexohet si një kritikë ndaj strategjisë kombëtare shqiptare, arrogancës, mungesës së analizës, dhe luftës së verbër që shpesh zhvillohet në skenën publike shqiptare.

Prandaj shprerhja e Sun Tzu-së mund të interpretohet: _”Shqiptarët humbasin shumë beteja jo se s’kanë energji, por sepse nuk njohin veten, e aq më pak sfidat që kanë përballë.”_

Por le t’i rikthehemi përsëri thelbit të thënies:

_”Nëse nuk njeh as armikun, as veten, do t’i humbësh të gjitha betejat.”_ – thoshte Sun Tzu, që fatmirësisht nuk jetoi në Shqipëri.

_”Nëse nuk njeh as armikun, as veten, do t’i humbësh të gjitha betejat._ ” – thoshte Sun Tzu (që s’e dinte se në Shqipëri humbet edhe kur fiton).

Sepse në Shqipëri armiku është kush të zë vendin, jo kush të zë frymën .

Veten e njohim aq pak, sa kur na del para pasqyra, i hedhim fajin sistemit dhe e thyejmë pasqyrën.

Strategjia kombëtare?

Një përzierje propagande, inati personal, zemërimi të përhershëm patologjik dhe emërimesh familjare.

Luftojmë korrupsionin me deklarata, ikjen e të rinjve me slogane, papunësinë me “konferenca shtypi”, dhe padrejtësinë me heshtje të organizuar.

Në Shqipëri, betejat nuk i humbasim nga armiku.

I humbasim, sepse udhëheqësit tanë nuk kanë lexuar Artin e Luftës, por edhe nëse e kanë lexuar, e kanë kuptuar si manual për mbijetesë politike, jo për mirëqenie kombëtare.

Në vendin tonë: Armikun e shpikim sipas sezonit!

Veten e quajmë ose _“më të mirin në Ballkan”_ , ose _“të mjerë e të mallkuar nga historia”._

– Betejat i zgjedhim sipas televizioneve, jo sipas nevojave.

– Fitoren e masim me “ _like_ ” dhe humbjen e fshehim me tenderë.

Sun Tzu thoshte të mendosh para se të luftosh.

Ne luftojmë… dhe pastaj pyesim pse s’na do Europa.

Në fund të ditës, nuk jemi pa strategji.

Jemi thjesht taktikë e përhershme në vetëgjunjëzim kombëtar.