Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar një takim me përfaqësues të dhjetë klubeve të Superligës, për të parë një përmirësim të formulës “Final 4” dhe për ta bërë kampionatin elitar më interesant për titullin kampion.
Siç mësohet nga Report Tv, klubet kanë rënë dakord që pas 36 javëve të rregullta të ketë një përgjysmim pikësh për katër vendet e renditura të parat, që do vijojnë garën për trofeun në një mini-turne me pikë (gjashtë ndeshje shtesë). Të gjitha ndeshjet do luhen në ‘Air Albania’ në Tiranë.
Më pas mes tyre do luhen edhe ndeshjet e “Final 4” dhe në bazë të pikëve do mësohet edhe skuadra fituese e Superligës.
Ndryshimet e skemës bëhen me qëllimin për të rritur më tepër rivalitetin dhe cilësinë në fazën përmbyllëse të kampionatit. Nga renditja finale do mësohen edhe skuadrat që do shkojnë në Evropë, veç skuadrës kampione.
Ndryshimet që u propozuan nga FSHF dhe u dakordësuan mes klubeve:
1. Përgjysmim pikësh për katër vendet e renditura të parat në sezonin e rregullt (36 javë).
2. Katër skuadrat do përballen mes tyre në një mini-kampionat me pikë (gjashtë ndeshje në total) dhe në bazë të rezultateve do mësohet edhe skuadra kampione dhe ato që shkojnë në Evropë.
Ndryshe nga dy sezonet e kaluara, “Final 4” nuk do vendoset me gjysmëfinale dhe finale, por me garë pikësh.
Diskutimet dhe propozimet nga mbledhja
Siç mëson Report Tv, drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani ka hedhur idenë që disa ndeshje mund të luhen edhe në “Loro Boriçi”. Veç saj, shkodrani propozon që në ndeshjet finale, numri më i madh i biletave në dispozicion të jetë për klubet që potencialisht mund të sjellin më shumë tifozë gjatë sezonit (në bazë të biletave të shitura).
Nga ana tjetër, Elton Guranjaku i AF Elbasanit favorizon propozimet e reja, duke i cilësuar si më të mira se skema e vjetër e “Final 4”, me katër ekipe që ndeshen në gjysmëfinale dhe më pas finale.
Skema e re dhe kalendari – Propozimi:
-Katër faza të rregullta(vajtje-ardhje) 36 javë
-Renditja pas 36 javëve përcakton pjesëmarrësit në fazën ‘Final 4’
-4 (katër) ekipet e para kualifikohen në ‘Final 4’.
-Pikët në këtë fazë do të përgjysmohen për katër skuadrat që vijojnë garën.
-Ndeshjet do të zhvillohen sipas skemës së mëposhtme:
Java e parë
Vendi 1 vs Vendi 4
Vendi 2 vs Vendi 3
Java e dytë
Vendi 1 vs Vendi 3
Vendi 2 vs Vendi 4
Java e tretë
Vendi 1 vs Vendi 2
Vendi 3 vs Vendi 4
-Të gjitha ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.
-Pjesëmarrësit në kompeticionet europiane përcaktohen nga renditja e ‘Final 4’.