Një deklaratë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka ndezur debat në opinionin publik, pasi ai sugjeroi mundësinë e vendosjes së taksave shtesë për qytetarët beqarë si një masë për të frenuar rënien demografike në vend.

Gjatë një deklarate për mediat, Mickoski u shpreh se qeveria po shqyrton të gjitha opsionet për të përballuar krizën demografike në rritje, përfshirë edhe masa penalizuese që mund të prekin personat që zgjedhin të mos krijojnë familje.

Sipas tij, në vitin 2024 është shënuar një rënie e ndjeshme e normës së lindjeve, ndërsa popullsia e vendit është tkurrur me mbi 33 mijë banorë në katër vitet e fundit, për shkak të rënies natyrore.

Kryeministri e cilësoi këtë nismë si pjesë të një përpjekjeje shtetformuese për të ndalur shpopullimin dhe për të mbështetur familjen si një strukturë themelore të shoqërisë.

Gjithashtu deklarate e kryeministrit është pritur me reagime të përziera, ku shumë qytetarë, aktivistë dhe ekspertë e kanë cilësuar idenë si diskriminuese dhe që cenon jetën private. Nga ana tjetër, disa e shohin këtë si një sinjal alarmi, që tregon se kriza demografike në vend është bërë tashmë një emergjencë kombëtare.

Deklarata e Mickoskit:

Ky është një rënie prej 4,140 personash vetëm në një vit. Në katër vitet e fundit kemi humbur mbi 33,000 qytetarë, një qytet me madhësinë e Kavadarit ose Kërçovës është zhdukur. Shkalla e lindjeve ka rënë nga 12.5 pikë përqindjeje në vitin 2010 në 8.8 në vitin 2024. Shumë komuna dhe fshatra nuk japin më mësim as në klasën e parë. Më shumë njerëz jetojnë vetëm, më pak martohen, më pak fëmijë lindin.

Gjermania, Italia, Bullgaria, Japonia, Koreja e Jugut, të gjitha këto vende janë përballur me të njëjtin problem për një kohë të gjatë. Po lindin pak fëmijë, popullsia po plaket dhe të rinjtë po kërkojnë gjithnjë e më shumë jashtë vendit për një jetë më të mirë. Por situata jonë është e veçantë. Sepse, ndërsa disa vende po e vënë re këtë fenomen si një trend, për ne është një alarm. Kjo qeveri nuk hesht për problemin. […] E pranon atë. Dhe po e lufton atë.