Pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara për tarifa tregtare prej 30% ndaj Bashkimit Evropian duke filluar nga 1 gushti, Qeveria Italiane po e ndjek nga afër përgjigjen e BE-së.

“Qeveria italiane vazhdon të monitorojë nga afër progresin e negociatave të vazhdueshme midis BE-së dhe SHBA-së, duke mbështetur plotësisht përpjekjet e Komisionit Evropian, të cilat do të intensifikohen më tej në ditët në vijim”, thuhet në një deklaratë.

“Ne besojmë në vullnetin e mirë të të gjitha palëve të interesuara për të arritur një marrëveshje të drejtë që mund të forcojë Perëndimin në tërësi, duke pasur parasysh se, veçanërisht në skenarin aktual, nuk do të kishte kuptim të shkaktohej një luftë tregtare midis dy anëve të Atlantikut” – thuhet mw tej.

Kujdesi është i nevojshëm në këtë fazë, jo vetëm sepse çështja është e ndjeshme, por edhe sepse vetë Trump ka kërcënuar me tarifa edhe më të ashpra në rast të një reagimi evropian. Për këtë arsye, përfundon deklarata e qeverisë: “Tani është thelbësore të mbetemi të përqendruar në negociata, duke shmangur polarizimin që do ta bënte më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”.