Në një takim të zhvilluar në Durrës me të gjithë kryetarët e bashkive, Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për pasivitetin dhe mungesën e vizionit ekonomik në pushtetin vendor.

Ai theksoi se, ndonëse bashkitë marrin fonde nga buxheti i shtetit dhe paguajnë paga e investime, ato nuk po krijojnë ndërmarrje fitimprurëse dhe nuk po luajnë rolin që u takon në zhvillimin rural.

Sipas Ramës, ende mbizotëron një qasje e vjetruar që e ndan qytetin nga fshati, ndërkohë që bashkitë duhet të jenë aktore aktive në jetën ekonomike të zonave rurale, përfshirë organizimin e fermerëve dhe lehtësimin e aksesit në financime.

Ai kritikoi ashpër departamentet e bujqësisë në bashki, duke i cilësuar “qesharake” dhe kërkoi një angazhim real për të kthyer bashkitë në nxitëse të zhvillimit bujqësor.

“Një problem tjetër është qasja filozofike, lekë nga buxheti, rroga dhe investime ndërkohë që ende nuk po ndërtohen ndërmarrje fitimprurëse në bashki. Ka disa tentativa minimale, por shumë të pamjaftueshme. Por, me reformat territoriale nuk kemi më bashki dhe komuna, por kemi bashki që merren me të dyja. Akoma mentaliteti është që komuna merret me punët komunale, por me jetën e fshatit, toka fshati, përpunimi, eksporti, këto janë në dorë të atyre që punojnë tokën dhe Ministrisë së Bujqësisë, por ndërkohë nëse shkoni në vendet e tjera do të shikoni që bashkitë janë pjesë e jetës së fshatit.

Sot kemi një instrument më domethënës se sa kemi pasur deri dje, kredia e bankës, ku bashkitë duhet të jenë forcë udhëheqëse, bashkitë duhet që të bëjnë bashkë fermerët. Sigurisht që duke qenë bashkitë pjesë, bëhet shumë më e thjeshtë për bankat që të mbësht4esion fermerët për këtë kredi të butë dhe për pjesën e financimit, pas kësaj edhe qeveria e ka më të lehtë. Kush do ia bëjë më të lehtë fermerëve në fshat, procesin për të marrë kredi, se tokën dinë ta punojnë vetë ata, por para ekstra që të fusin për të mos e lënë, thjesht e vetëm merr e shit, por më shumë se kaq.

Departamentet e bujqësisë në bashki janë qesharake, komike, për të bërë qoka, nuk merrem me njerëzit e fshatit për respekt. Duhet të bëhet një angazhim shumë i madh në këtë”, tha kryeministri Rama.