Kryeministri Edi Rama ka shkaruar të gjithë drejtorët e Bashkisë Vlorë, si dhe ka bërë disa ndryshime brenda strukturës së Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës. Kandidati për deputet, i cili nuk hyri në listat fituese, Klevis Kaso, u emërua kryetar i PS në Vlorë, ndërsa deputetja Eriona Ismaili tashmë do të jetë bashkëkryetare e kësaj force politike.
“Që nga ky moment, të gjithë jeni të shkarkuar. Kryetari i Bashkisë duhet të firmosë menjëherë shkarkimet”, mësohet të ketë deklaruar Rama në takimin me dyer të mbyllura.
Ende nuk dihet se kush do të jenë zëvendësuesit e drejtorëve aktualë, por në ditët në vijim priten zhvillime dhe emërime të reja në administratën e qytetit.
Kreu i qeverisë nuk ka kursyer kritikat sa i përket problematikave të qytetit si; mungesa e ujit të pijshëm dhe problematikat e turizmit apo ato të mbartura në vite. Rama ka theksuar se të gjithë drejtuesit vendorë duhet të jenë në gatishmëri të plotë për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe për të adresuar me urgjencë çështjet që shqetësojnë qytetin.
Takimi ka zgjatur rreth 90 minuta dhe është karakterizuar nga tone të ashpra dhe kërkesa të drejtpërdrejta nga ana e Kryeministrit. Pas mbledhjes, Rama është parë duke ecur në këmbë në lagjen “Muradie”, i shoqëruar nga Arbjan Mazniku, Pirro Vengu dhe Sinan Idrizi. Ata kanë ndalur për rreth 30 minuta në një lokal për kafe, përpara se Kryeministri të largohej nga qyteti./