Nga Hermes Kafexhiu
Në këtë republikë që endet mes teatrit dhe gjykatës, Erion Veliaj ka bërë një gabim fatal, nuk ka shpifur, nuk ka kërcënuar, nuk ka nxjerrë fotografitë e grave të prokurorëve. E si rrjedhojë, po rri në burg. Në vendin ku kush shan, del; kush flet me fakte, futet.
Po të ishte Berisha në vend të Veliajt, çfarë do ndodhte? Thjesht, do të kishte publikuar ndonjë album familjar të ndonjë prokurori në plazhet e jugut, do të kishte bërë ndonjë “live” nga ballkoni me titullin Drejtësia që zhvesh femrat e SPAK-ut, dhe, natyrisht, do të ishte në shtëpi. Me çaj mali dhe me mikrofon përpara.
Por Veliaj është në burg. Për një dosje që fle, për një shtesë hetimi që nuk vjen, për një vendim të Gjykatës së Lartë që duket si listë e porosive politike, jo si vendim juridik. Dhe gjithë ky ferr procedurial drejtohet nga një prokuror me konflikt interesi. Qesharak? Jo. Tragjikomik. Një realitet i kalbur që as më të mirët e humorit politik nuk do ta kishin guxuar të shkruanin.
Sepse në këtë vend, nëse nuk intimidon prokurorin, të arrestojnë. Nëse e sulmon, të falin. Nëse ia nxjerr gruan në publik, të japin liri me kusht.
Sali Berisha një burrë që ka shpikur amnistinë personale ka bërë çdo shkelje të mundshme, ka denigruar SPAK-un si institucion, ka kërcënuar prokurorë me emër e me fotografi, dhe çfarë ka marrë? Arrest shtëpie. Dritare të hapura për televizion, kamera direkte nga kati i tretë dhe një lloj aureole martiri që e trajton hetimin si dhuratë për karrierën e tij të tretë politike.
Ndërkohë, Salianji i dënuar për shpifje ecën i lirë, jep intervista me zë të hollë për moralin publik. Jamarbër Malltezi? Me garanci pasurore, i lirë të shpjegojë pasurinë me formula që s’i gjen as në manualet e financës ndërkombëtare.
E ndërkohë, Veliaj… pret. Në burg. Pa dhunë, pa zhurmë, pa konferenca. Me një prokuror që s’duhej të ishte fare në çështje, me një hetim që shtyhet me “justifikime teknike”, dhe me një sistem që bën gjithçka për ta mbajtur aty.
Duket sikur është bërë një dakordësi e heshtur ose ndoshta fare jo e heshtur që Veliaj të jetë “kokë turku”, për të larë mëkatet e sistemit, për të zbukuruar bilancin e SPAK-ut, për të treguar që drejtësia “po vepron”. Një kryetar bashkie në detyrë, me gjithë kundërshtitë që mund të ngjallë, është sot i vetmi figurë publike me peshë që mbahet pas hekurave – ndërkohë që të tjerët, me akuza shumë herë më të rënda dhe me sjellje shumë më agresive, trajtohen si viktima.
Është një klimë kolektive me nuancë hakmarrjeje politike, mediatike, institucionale një lloj katarsisi i rremë ku gjithë mllefi i akumuluar ndaj “shtetit të vjetër” derdhet mbi një emër të vetëm. Të gjithë e duan Veliajn brenda: opozita, se është simbol i Rilindjes urbane që s’e rrëzuan dot me zgjedhje; segmentet e SPAK-ut, se duan të tregojnë muskujt; një pjesë e mediave, për ta përdorur si burim klikimesh dhe rrahje morali.
Askush s’e do të dalë. Jo sepse është “kriminel i madh”, por sepse ka qenë shumë pranë pushtetit, shumë gjatë, dhe tani duhet përdorur si shembull:
“Shikoni, edhe këta i fusim brenda.” Por vetëm këta. Vetëm Veliaj.
Kjo është edhe arsyeja pse drejtësia po vepron me precizion kirurgjik vetëm mbi të ndërkohë që për të tjerët ka gjithëfarë justifikimesh: njëri ka moshë, tjetri ka fëmijë, tjetri ka bërë thirrje për revoltë, por s’është rrezik shoqëror. Veliaj? Nuk ka bërë asgjë nga këto – prandaj s’ka justifikim për të liruar. Ironike, apo jo? Në Shqipëri, sa më pak të bësh zhurmë, aq më shumë të përplas sistemi.
Ndoshta problemi i Veliajt është që nuk e ka kuptuar rregullin e ri të drejtësisë shqiptare: nëse nuk e bën baltë institucionin, ai të kthen në llum.
Tani, ta themi troç: për të dalë nga burgu në Shqipëri nuk mjafton të jesh i pafajshëm. Duhet të jesh shantazhues. Duhet të jesh kërcënues. Duhet të bësh zhurmë. Të denigrosh. Të publikosh fotot e pushimeve të gruas së ndonjë prokurori me mbishkrimin:
“SPAK në Palmë, qytetarët në burg”. Ja, kjo është mënyra e vetme për të hyrë në klubin e të liruarve.
Veliaj duhet të ndalojë së besuari në ligj. Ligji është për budallenjtë. Për romantikët institucionalë. Për ata që ende besojnë se SPAK është tempull, jo telenovelë.
Sepse në këtë vend, drejtësia nuk është e verbër thjesht mban syze dielli kur sheh miqtë. Dhe i heq kur i duhet të shohë Veliajn.
Në fund të ditës, ndoshta Erioni ka bërë një gabim shumë më të madh se çdo aferë tenderash, ka respektuar drejtësinë.
Ky është mëkati që nuk falet në Shqipëri. Jo pa nxjerrë ndonjë foto, jo pa sharë ndonjë prokuror. Në këtë sistem, nëse nuk i bie sistemit, të shtyp sistemi.
Prandaj, ndoshta ka ardhur koha që Veliaj ta provojë recetën e vjetër, një foto e gruas së ndonjë prokurori, ndonjë “live” në Facebook, ndonjë shigjetim personal. Dhe pastaj… hopa jashtë. Si të gjithë të tjerët.