Pas shkarkimit të dy zyrtarëve të burgut të Drenovës, për shkak të Laert Haxhiut, të cilit iu gjet telefon, janë emëruar dy drejtues e rinj në këtë burg. Ministri i drejtësisë Ulsi Manja ka emëruar si drejtor në këtë burg Lorent Nakon. Ndërkohë, shef i policisë së burgut Drenovë është emëruar Artan Koçibelli.

Aparati celular, i cili u gjet pas një aksioni të zhvilluar nga efektivët e “Operacionales” në qelitë e burgut, solli edhe shkarkimin nga detyra të drejtorit të Burgut të Drenovës Fatjon Fasho dhe shefit të policisë së burgut, Sokol Kacoli.

Për sekuestrimin e telefonit, SPAK po kryen hetime duke kqyrur jo vetëm aparatin, por edhe duke bashkëvepruar me autoritete të tjera, pasi ka dyshime që bisedat e të fortit të Lushnjës janë sinjalizuar nga përgjimet që po mbahen për një çështje tjetër nën zhvillim e sipër.

Përveç Haxhiut edhe grupi i tij ishte i pajisur me telefona. Gjatë kontrollit në dhomat e tyre, “Operacionalia” gjeti 4 iPhonë dhe Samsung, por edhe kufje. Pra edhe pse në qeli, të paktën anëtarët e bandës së Lushnjes duket se kanë pasur akses për të kontaktuar me këdo që kishin dëshirë, pa u shqetësuar nga askush. Dy anëtarët kryesorë të grupit të Laert Haxhit, po ashtu të dënuar me burgim të përjetshëm si Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili janë vendosur në sektorin “A” të burgut të Drenovës, me dhoma ngjitur me njëri-tjetrin. Pranë tyre janë vendosur Xhensi Lipo, i dënuar me 19 vite burg për akuzën e vrasjes së Erjon Ibit dhe Vladimir Kurti, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Agim Bucit.

Laert Haxhia u ekstradua nga Greqia pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë, Artan (Marjus) Tafani, i cili zbardhi të paktën 17 krime, mes tyre vrasje, tentative për vrasje, vendosje tritoli dhe trafik të lëndëve narkotike.