Një numër bashkish në Shqipëri kanë hapur tashmë thirrjet publike për aplikime në pozicione drejtuese të sektorëve kyç të administratës vendore, në kuadër të reformimit dhe fuqizimit të qeverisjes lokale. Mes tyre janë bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan, si dhe disa të tjera që do t’i bashkohen së shpejti këtij procesi transformues.
Ndërkohë, Bashkia e Vlorës, e cila ishte ndër të parat që nisi këtë proces, është duke vijuar aktualisht me fazën e intervistave me kandidatët e përzgjedhur.
Një zhvillim thelbësor është edhe bashkëpunimi i Bashkisë Tiranë me Institutin Tony Blair, me të cilin është konceptuar një strukturë e re organizative që synon të rrisë efikasitetin dhe transparencën në drejtim.
“Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe një sërë të tjerash kanë hapur tanimë thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre
APLIKONI me kurajo dhe besim
Vlora që nisi e para po ecën me fazën e intervistave të të interesuarve, ndërkohë që në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë Tiranë, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore. Është koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.”, shkruan Rama.