Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla, mori pjesë në Festivalin “Vëllazëria”, që u zhvillua në rajonin e Puglias në Itali.

Festivali u hap zyrtarisht në prani të ministrit dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore italiane, duke theksuar rolin e kulturës arbëreshe si urë lidhëse mes dy popujve.

Në këtë aktivitet, tre komunat arbëreshe – Casalvecchio, Chieuti dhe San Marzano di San Giuseppe – u shpallën zyrtarisht zona të mbrojtura kulturore të Puglias, në një akt simbolik që thekson rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore të komuniteteve arbëreshe.

Ministri Balla vlerësoi rolin e arbëreshëve si “shembulli më i bukur i ruajtjes së gjuhës dhe traditave tona kombëtare për më shumë se pesë shekuj”. Ai theksoi se arbëreshët dhe diaspora shqiptare në Itali përbëjnë “një urë të fortë lidhëse mes dy popujve tanë”, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Festivali “Vëllazëria” u zhvillua më 26 dhe 27 korrik në Casalvecchio di Puglia, në edicionin e tij të tetë, duke bashkuar mbi 100 artistë, këngëtarë dhe valltarë nga komunitetet arbëreshe të Italisë dhe nga Shqipëria, veçanërisht nga Vlora. Për dy ditë, pjesëmarrësit morën pjesë në aktivitete kulturore, artistike dhe gastronomike, me koncerte, diskutime, ekspozita dhe dreka e darka të përbashkëta në sheshe.