Pikërisht kur menduam se gjakrat ishin shuar, përplasja Trump-Musk rikthehet më e fortë se kurrë. Grindja më e fundit midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe miliarderit dhe themeluesit të Tesla-s, Elon Musk, shpërtheu për shkak të projektligjit të madh të Trump për taksat dhe shpenzimet qeveritare, i njohur si “Big Beautiful Bill”.

Musk e ka kritikuar publikisht dhe ashpër ligjin, duke pretenduar se do të rrisë borxhin e SHBA-së dhe do të favorizojë industritë e vjetruara, dhe ka bërë thirrje për formimin e një partie të re politike si një alternativë ndaj sistemit dypartiak. Ai gjithashtu ka kërcënuar të financojë kandidatët kundërshtarë (demokratët)që do të votojnë kundër projektligjit në Kongres. Po ashtu lajmëroi edhe njëherë se i qëndronte idesë së tij për të krijuar një parti të re në Amerikë, përveç asaj Republikane dhe Demokrate.

“Anëtarët e Kongresit që votojnë për ligjin do ta humbasin garën e tyre paraprake vitin e ardhshëm. Do ta bëj edhe sikur kjo të jetë gjëja e fundit që bëj në jetën time. Është e qartë se me këto shpenzime të çmendura, të cilat po e rrisin tavanin e borxhit me një rekord prej 5 TRILIONË DOLLARËSH, po jetojmë në një vend me një parti – PARTI TË TRASHË! Është koha për një parti të re politike që kujdeset vërtet për njerëzit. Ka ardhur koha për një parti të re politike që kujdeset vërtet për njerëzit. Nëse ky projektligj i çmendur për shpenzimet miratohet, partia e Amerikës do të themelohet që të nesërmen. Vendi ynë ka nevojë për një alternativë ndaj qeverisë njëpartiake Demokratike-Republikane, në mënyrë që populli më në fund të ketë një ZË,”-janë disa nga deklaratat që bëri Musk në rrjetin social që ai zotëron, në “X”.

Dhe për herë të parë ka marrë një përgjigje shumë të ashpër nga presidenti amerikan. Trump u përgjigj duke kërcënuar se do t’i jepte fund subvencioneve qeveritare për kompanitë e Musk dhe e kritikoi publikisht duke i përmendur faktin se pa këto subvencione ai do t’i duhej të mbyllte kompanitë e tij dhe të kthehej në Afrikën e Jugut. Praktikisht, e kërcënoi me deportim nga Amerika. Madje tha konkretisht se po e konsideronte si ide.

“Elon Musk e dinte, shumë kohë përpara se të më mbështeste kaq fuqimisht për president, se unë isha kategorikisht kundër automjeteve elektrike. Kjo është qesharake dhe ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e fushatës sime. Makinat elektrike janë në rregull, por askush nuk duhet të detyrohet të zotërojë një makinë të tillë. Elon mund të jetë duke marrë më shumë subvencione se ndonjë person ndonjëherë në histori. Dhe pa këto subvencione, Eloni ndoshta do të duhej të mbyllte kompanitë e tij dhe të kthehej në shtëpi në Afrikën e Jugut. Nuk do të kishte më lëshime raketash, satelitësh apo prodhim makinash elektrike, dhe vendi ynë do të kursente SHUMË PARA. Ndoshta duhet t’i kërkojmë DOGE-it ta shqyrtojë mirë dhe me kujdes këtë situatë? Shumë para mund të kursehen,”-tha Trump, duke i përmendur departamentin që dikur Musk drejtoi, DOGE dhe që kishte për qëllim shkurtimin e shpenzimeve qeveritare.

Por jo vetëm kaq!

Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se nuk është i sigurt nëse do ta deportojë Elon Musk. Të paktën kështu raportoi korrespondentja e “Daily Mail”, Emily Goodin. Ajo shkroi në rrjetet sociale: E pyeta Presidentin Trump nëse do ta deportonte Elon Musk dhe ai tha se do ta merrte në konsideratë.

Më vonë, ajo publikoi përgjigjen e Trump ndaj pyetjes nëse ai do ta deportonte Musk.

“Nuk e di. Do të duhet ta shohim. Mund të na duhet të dërgojmë DOGE-n te Elon. A e dini se çfarë është DOGE? DOGE është një përbindësh që mund të kthehet dhe ta hajë Elonin,”- tha Trump.

Akti i Projektligjit “One Big Beautiful Bill”, është një term jozyrtar që u përdor nga ish-presidenti amerikan Donald Trump gjatë mandatit të tij, si një mënyrë retorike për të përshkruar idenë e bashkimit të disa reformave madhore – si ato në sistemin e taksave, shëndetësi, infrastrukturë dhe emigracion – në një projektligj të vetëm. Përmes këtij termi, Trump synonte të krijonte përshtypjen e një zgjidhjeje të madhe, efikase dhe “të bukur” për sfidat kryesore të vendit.