Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkaktuar sërish debat me deklaratat e tij, këtë herë gjatë një takimi me kryeministrin britanik, Keir Starmer, ku nuk kurseu kritikat për kryetarin e Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp të mbajtur të hënën, Trump u pyet nëse planifikon të vizitojë Londrën gjatë vizitës së tij zyrtare në shtator. Presidenti amerikan u shpreh se nuk është aspak fans i Khan.

“Mendoj se ai ka bërë një punë të tmerrshme. Kryetari i Bashkisë së Londrës… një person i keq,” tha Trump me tone të ashpra.
Në përpjekje për të zbutur situatën, Starmer ndërhyri duke theksuar se Khan është një mik i tij. Por Trump nuk u tërhoq: “Mendoj se ai bëri një punë të tmerrshme. Por unë patjetër do ta vizitoja Londrën.”

Pavarësisht kritikave ndaj Khan, Trump shprehu vlerësim për vetë kryeministrin Starmer si dhe për liderin e Partisë Reformiste, Nigel Farage. “Më pëlqen si Keir ashtu edhe Nigel, edhe pse kanë qëndrime të ndryshme politike. Të dy janë njerëz të mirë,” tha presidenti amerikan.