Nga Nga Skënder Minxhozi
Kush kujton sesi nisi Foltorja e famshme e Sali Berishës (sot po flitet për një Foltore nr.2 anti-Berishë), sjell ndërmend sesi ish-kryeministri i fliste popullit të tij nëpër salla kinemash, në lidhje me refuzimin e homoseksualëve, dashurinë për Zotin dhe “vlerat konservatore”. Berisha mori shumë duartrokitje asokohe me këto teza, të cilat nuk kishin lidhje me rikthimin në pushtet por vetëm se eksitonin turmat që gjenin ngjashmëri me marrëzitë që hidhte çdo ditë Donald Trump në SHBA. Në Shtëpinë e Bardhë ishte ende Joe Biden dhe Berisha s’mund të dilte hapur kundër administratës amerikane, përfshirë edhe sekretarin Blinken, i cili kishte firmosur për statusin e tij non grata.
Biden e Blinken u larguan në nëntorin e shkuar dhe Berisha shpërtheu në një cunam sulmesh, sharjesh e fyerjesh nga më folkloriket ndaj tyre. Siç di ai të shajë. Paralelisht me mallkimet ndaj demokratëve në ikje, Berisha nisi të ndërtojë bustin e Donald Trump në mes të oborrit të selisë së PD. Një monument imagjinar që do të simbolizonte një aleancë, një miqësi dhe një bashkëpunim të ardhshëm me Donald Trump, të cilin nuk ishte në gjendje ta përshkruante konkretisht asnjeri nga njerëzit më të afërt të Berishës. E kur kjo amulli dhe mjegull shitej si një negociatë e fshehtë që do ta çonte Doktorin në SHBA në mes të zgjedhjeve me ftesë të republikanëve, shumëkush ngrinte supet në pritje të surprizës opozitare.
Sot dimë se asnjeri nga skenarët-surprizë të Berishës me amerikanët nuk u realizua. As miqësia me Trump nuk ndezi, megjithëse paratë rrodhë lumë. Ish-kryeministri vijon të mbetet non-grata me firmën e Blinken, të cilën Rubio nuk e ka anulluar ende, “sherifi i ri në qytet” Lacivita mori honorarin dhe e la PD aty ku ishte në opozitë, firma “Continental Strategy” nuk e prodhoi aksesin e pritur tek administrata dhe Presidenti i SHBA paçka se u pagua plot 6 milion dollarë. Madje kjo ofensivë imagjinare kundër administratës Biden dhe për rikthimin e PD në pushtet nuk prodhoi dot as largimin nga puna të ish-ambasadores në Tiranë Yuri Kim, e cila vijon të jetë pjesë e Departamentit të Shtetit!
Aksioma e njohur politike thotë se amerikanët, si edhe evropianët, punojnë zakonisht me fitimtarët dhe qeverisësit, jo me opozitat. Ëndrrat elektorale me përmbysje ditën e zgjedhjeve me urdhër nga Uashingtoni rezultuan edhe një herë thjesht iluzione të humbura, sipas titullit të romanit të famshëm të Balzakut.
Trumpizmi shqiptar i 11 majit ishte një shi vere që nuk lagu askënd, një retorikë bosh dhe e pabazuar në ndonjë konteskt vërtetësie, por vetëm në analogji naive ideologjike dhe në shumë para të derdhura me shpresën se lobet dhe aleatët pranë administratës Trump do të influenconin që Rama të largohej nga pushteti dhe Berisha të pastronte skedën e tij amerikane.
Ajo që mbetet sot nga trumpizmi elektoral i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, është një histori pa krye e pa fund, një improvizim personal i Berishës për zgjidhur një hall të vetin, paçka se e bëri këtë duke krijuar një iluzion bosh tek pasuesit e tij që prisnin rotacionin e pushtetit dhe largimin e Edi Ramës.
Lacivita iku, firma e të bijës së Susie Wilks mori paratë po nuk ju pa ndonjë rezultat, ndërkohë që dhëndrri i Trump me të shoqen Ivankën nuk humbasin rast pa folur për projektin e tyre në Sazan dhe pa postuar foto në detin e Vlorës. Të gjitha ranë, ra madje edhe teorema e urimit të munguar të SHBA për fituesit e zgjedhjeve në Shqipëri.
PD dhe votuesit e saj patën rastin të mësojnë edhe një herë me çmimin e kripur të humbjes se fitorja e pushtetit politik nuk vjen pa investuar realisht dhe seriozisht në projektin madhor politik. Që nuk është ai i krushqive sezonale me pagesë me Amerikën apo Evropën, por është rotacioni real dhe i prekshëm i një elite të konsumuar me Berishën në krye, e cila është kapur pas mandateve parlamentare duke marrë peng të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë partisë.