Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka shmangur në dy mbledhjet plenare të fundit, më datat 11 dhe 16 korrik, të shqyrtojë kërkesën e prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli për ta mbrojtur ndaj sulmeve të Kryeministrit Edi Rama ndaj saj, lidhur me mosfillimin e hetimit për një kallëzim të kryer për ndërtimet në Theth, megjithëse ishte parashikuar të trajtohej në axhendën e mbledhjes së parë. Po ashtu nuk është parashikuar asgjë lidhur me këtë çështje as për mbledhjen plenare që u njoftua se do të zhvillohet të premten, më 25 korrik.
Pas publikimit të kërkesës së Gjelit drejtuar KLP-së më 11 korrik, reagoi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se kishte bërë ankim për fillim të procedimit disiplinor ndaj prokurores.
Kjo deklaratë e Manjës drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, po përdoret nga KLP si një rrethanë ku po bazon hamendësimin se, ndaj Gjelit mund të kërkohet në të ardhmen fillimi i procedimit disiplinor, e për rrjedhojë justifikohet mosmbajtja e një qëndrimi për kërkesën e magjistrates për mbrojtje.
I pyetur për mosmbajtjen e një qëndrimi lidhur me kërkesën e Gjelit, KLP i tha BIRN të enjten se, në referim të shkresës së Manjës, përmes së cilës i është kërkuar ILD-së të fillojë procedurën disiplinore lidhur me çështjen përkatëse, çmon se “anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk mund të mbajnë qëndrim, apo të komentojnë mbi një çështje konkrete, e cila më pas mund të jetë objekt i një procedimi disiplinor, që merret në shqyrtim pikërisht nga ky këshill”.
Lidhur me faktin se ILD nuk ka njoftuar ende nisjen e ndonjë hetimi disiplinor apo kërkimin e fillimit disiplinor ndaj Gjelit, KLP u shpreh se nuk dinin ende diçka dhe se kjo gjë është në vlerësimin e ILD-së.
“Po nëse e bënë, ne duhet të përjashtohemi se i bie kemi mbajtur qëndrim”, argumentoi kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani lidhur me pyetjen që BIRN i drejtoi, se nga e dinte KLP se në të ardhmen ILD do të inicionte një procedim të tillë.
Të gjithë prokurorët në Republikën e Shqipërisë janë objekte të mundshëm të procedimeve disiplinore në të ardhmen, por në raste të ngjashme me atë të Gjelit, KLP ka mbajtur qëndrim duke i dënuar sulmet nga politika e duke kërkuar që të mos ushtrohet trysni ndaj magjistratëve dhe sistemit të drejtësisë. E pyetur për këtë rethanë, kryetarja Bogdani shkroi përmes aplikacionit ËhatsApp se “kaq arritëm sot”.
Prokurorja Elsa Gjeli i tha BIRN gjatë një bisede telefonike të enjten, se nuk kishte ndonjë koment lidhur me mosmbajtjen e qëndrimit nga ana e KLP për kërkesën e saj.
Prokurorja Elsa Gjeli u sulmua nga kryeministri Edi Rama më 7 korrik, lidhur me një vendim mosfillimi të një çështjeje penale ndaj një ndërtimi të pretenduar pa leje në fshatin Theth. Rama i referohej një serie kabinash pushimi të ndërtuara pranë kishës së fshatit në Theth, për të cilat tha se ishin vepër e një individi të “parritshëm nga krahu i ligjit.”
Kryeministri deklaroi atëherë se inspektoriati dhe policia e shtetit kishin konstatuar ndërhyrje brutale, por prokuroria nuk kishte shpallur në kërkim të menjëhershëm personin përgjegjës.
Qëndrimi i Ramës u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Shkodrës, e cila në një reagim të rrallë për këto raste i doli në mbrojtje prokurores dhe vuri në dukje se, ishin institucionet në varësi të qeverisë, Policia dhe Bashkia Shkodër, që e kishin referuar çështjen si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.
Në vijim, prokurorja Gjeli depozitoi në KLP kërkesën kundër deklaratave të kryeministrit që i cilësoi si fyerje dhe diskreditim të figurës së magjistratit. Sipas Gjelit, kryeministri e kishte ekspozuar ndaj një linçimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv./Birn.al