Policia ka ndjekur sot një automjet në “Myslym Shyri”, Tiranë, pasi dyshohej se drejtuesi i automjetit kishte armë.

Ndjekja përfundoi pranë shkollës “Petro Nini”, ndërsa dy të rinjtë që ishin në makinë për t’i shpëtuar arrestimit, përplasën edhe disa mjete të parkuara në rrugë.

Pas kësaj ndjekjeje, është arrestuar shtetasi Skerdi Sina që ishte pasagjer, ndërsa shoferi i identifikuar nga policia është shpallur në kërkim.

I arrestuari Skerdi Sina nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai ishte shpallur në kërkim në janar të këtij viti, së bashku me katër persona të tjerë, pasi mbajtën të mbyllur në një banesë të marrë me qira ditore në Astir, një 21-vjeçare.

“Nuk iu bindën urdhrit të Policisë, përplasën 3 automjete gjatë tentativës për t’u larguar, braktisën automjetin dhe hodhën në rrugë një armë zjarri, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, vë në pranga njërin prej tyre dhe vijon puna për kapjen e shtetasit të dytë, i cili dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit.

Rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8”, në të cilin ndodheshin dy persona, pasi kishin dyshime të arsyeshme se personat në automjet mund të ishin të armatosur. Drejtuesi nuk iu bind urdhrit të Policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”.

Gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.

Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit në automjet, shtetasit S. S., 29 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një krehër dhe municion.

Ndërkohë, është bërë identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor i ngritur për rastin po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.