Ka nisur vala e dorëheqjeve në juglindje të vendit, pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për largimin e drejtuesve vendorë që nuk kanë përmbushur pritshmëritë në detyrë.
Burime për Lexo.al bëjnë me dije se të gjithë administratorët e Bashkisë së Korçës 7 në total – si dhe 3 administratorët e Bashkisë Kolonjë, kanë paraqitur dorëheqjen pranë kryetarëve të bashkive respektive.

Nga ana tjetër, situata mbetet e pandryshuar në tre bashki të tjera të qarkut, Pogradec, Maliq dhe Devoll. Sipas komunikimeve me këto institucione, ato ndodhen ende në proces vlerësimi të kuadrit ligjor, për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm në lidhje me pozicionet drejtuese.

Kryebashkiakët Sotiraq Filo dhe Erion Isai deklaruan se nuk do të ketë lëvizje në pozicionet e zëvendëskryetarëve në bashkitë që drejtojnë.
Aktualisht, asnjë zëvendëskryetar në juglindje të vendit nuk është shkarkuar apo nuk ka dhënë dorëheqjen. Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se brenda pak ditësh pritet një vizitë e kryeministrit Rama në këtë qark, për të ndjekur nga afër procesin e reformimit vendor.