jë burrë i armatosur vrau katër persona në një kullë zyrash në Midtown Manhattan përpara se të vetëvritej, në një ngjarje tronditëse që ka ngritur pyetje të reja mbi ndikimin e sporteve të kontaktit në shëndetin mendor.

Sipas autoriteteve, autori është identifikuar si Shane Tamura, 27 vjeç, banor i Las Vegasit, me një histori problemesh të shëndetit mendor. Ai qëlloi për vdekje dy oficerë sigurie dhe dy punonjës të zyrave në ndërtesën në Park Avenue, përpara se të qëllonte veten në katin e 33-të të godinës.

Kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, deklaroi se në portofolin e Tamurës u gjet një shënim ku ai fajësonte Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL) për një sëmundje të trurit nga e cila pretendonte se vuante.

“Shënimi aludonte se ai mendonte se kishte CTE – një formë encefalopatie traumatike kronike, e njohur për ata që marrin pjesë në sporte me kontakt. Ai dukej se fajësonte NFL-në për gjendjen e tij”, tha Adams për CBS Neës.

CTE është një sëmundje e rëndë degjenerative e trurit, e lidhur me goditjet e përsëritura në kokë, veçanërisht në sporte si futbolli amerikan. Ajo shoqërohet me simptoma si agresiviteti, depresioni dhe demenca. Deri më sot, nuk ekziston një trajtim i njohur për këtë gjendje.

Tamura nuk ka qenë kurrë pjesë e NFL-së, por të dhënat online tregojnë se ai kishte luajtur futboll amerikan në shkollë të mesme në Kaliforni dhe ishte pjesë e ekipit të parë të një shkolle charter në Los Angeles deri në vitin 2016. Sipas raportimeve të Bloomberg Neës, në shënimin e lënë, ai shkruante se karriera e tij në futboll u ndërpre për shkak të një dëmtimi të trurit dhe kritikonte NFL-në për mospërgjegjësi në trajtimin e çështjes së CTE-së.

Ndërtesa ku ndodhi sulmi është pronë e kompanisë “Rudin Management”, dhe ndodhet në të njëjtin rrokaqiell ku ndodhet edhe selia e NFL-së, por hetuesit dyshojnë se Tamura mund të ketë hyrë në zonën e gabuar të ndërtesës, duke përfunduar në zyrat e kompanisë së pasurive të paluajtshme, ku ndodhi një prej vrasjeve.

NFL ka qenë më parë në qendër të kritikave për mënyrën se si ka trajtuar çështjet e dëmtimeve të trurit tek lojtarët. Liga ka paguar më shumë se 1 miliard dollarë në kompensime për mijëra lojtarë të pensionuar që kanë pësuar pasoja të rënda shëndetësore pas përfundimit të karrierës.

Hetimet për motivet dhe rrethanat e ngjarjes tragjike vijojnë.