I mituri, Mario Përlleshi i cili akuzohet për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, ka dëshmuar për herë të parë në Gjykatën e Tiranës për krimin e 18 Nëntorit të 2024.
Dëshmia e tij ishte kërkuar nga prokuroria dhe është bërë në prani të psikologut. Në shumicën e përgjigjeve për pyetje që kishin të bënin me dinamikën e ngjarjes, është shprehur se nuk mbante mend.
Në lidhje me mjetin prerës ai ka thënë se nuk ka patur thikë me vete atë ditë, por ka gjetur mjet prerës në rrugë.
Përlleshi thotë se shkaqet e sherrit, ishin vijim i debateve të 3 ditëve para ngjarjes ku ka pretenduar se është goditur me grushta nga Martin Cani. Ky i fundit i ka dërguar ftesë në “SnapChat” sipas Përlleshajt, ku kanë vijuar debatet dhe në fund, Mario pretendon se e kanë lënë të sqarohen të hënën, ditë kur edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa prokuroria dhe gjykata janë interesuar vazhdimisht, duke paralajmëruar palët që të ruajnë sekretin hetimor në një kohë kur ngjarja në fjalë përbën një nga rastet më të rënda të ndodhura vitet e fundit dhe interesi publik për shkak të dritëhijeve të saj, ka qenë tepër i lartë.
Shkak i vendimmarrjes së drejtësisë për ta mbajtur hermetik procesin është argumenti i moshës së mitur të palëve në proces. Seancën e ardhshme do vijojë dëshmia e Mario Përlleshit, pasi këtë të hënë, avokatët e palës së dëmtuar kanë paraqitur kërkesa të tjera sa i takon ekspertizave të kryera.