Dy vjet qenkan një diferencë e madhe. Novak Gjokoviç e ndjeu plotësisht peshën e moshës së tij 38-vjeçare, në humbjen e thjeshtë që pësoi përballë numrit 1 të botës, Janik Siner, në gjysmëfinale të Uimbëlldonit.
Nëse në 2023, jo shumë kohë më parë, Nole fitoi tre Grand Sleme, në dy stinët e fundit tenisi është dominuar nga dyshja e kampionëve të rinj.

Janik Siner dhe Karlos Alkaraz kanë fituar gjithçka, duke mos I dhënë serbit asnjë shans, ndonëse Gjokovic e mundi spanjollin në finalen e Lojrave Olimpike dhe në çerekfinalen e Australian Openit në janar të këtij viti.

Sidoqoftë, Siner ishte tepër I fortë për të, dhe rezultati I seteve e tregoi qartë: 6-3, 6-3, 6-4, në jo më shumë se dy orë lojë.
Italiani 23-vjeçar është fitues I tre Grand Slemeve, ndonëse në barin e Uimbëlldonit nuk do të ketë të lehtë përballë rivalit të tij të madh.

Karlos Alkaraz kaloi në gjysmëfinale amerikanin Tejlër Fric, në një duel të fortë, por që ai e fitoi me meritë.

Në dy orë e 48 minuta, kampioni në fuqi fitoi setin e parë 6-4, pastaj humbi të dytin 5-7, por fitoi dy të tjerët radhazi 6-3 e 7-6.

Spanjolli 22-vjeçar, që ka 5 Grand Sleme deri tani, është dy herë radhazi kampion në Uimbëlldon, pas dy finaleve në të cilat mundi Gjokoviçin, e padyshim do të jetë favorit edhe ndaj Numrit 1 në botë.

Në gjashtë turnetë e fundit Grand Slem, në 2024 e këtë vit, tre janë fituar nga Siner dhe tre nga Alkaraz.