Kush e ka ndjekur për tashmë 34 vite Sali Berishën dhe sjelljen poitike të tij në pushtet dhe në opozitë, e di se ekziston një zakon.

Pak i çuditshëm dhe në dukje paksa absurd që në vitet 90 të shekullit të shkuar, e jo më sot që duket mjaft anakronik, kur edhe “Perandori” më i fuqishëm i botës “Donald the Orange” i ka treguar të gjithëve kuzhinën e perandorisë.

Gjithsesi, fjalët anakronizëm, demode, apo të lashta nuk kanë shumë kuptim për politikën shqiptare, e cila ka nisur të duket si një rezervat tërheqës.

Pasi, mjedisi i saj nuk është thjeshte një rezervat i përshtatshëm për safari, por ka edhe më shumë se kaq. Mund të udhëtosh në kohë, natyrisht jo në rezervatet me marioneta high tech të Steven Spilgergut, por në një Jurasic Park të vërtetë.

Ku dinosaurit, ata me mish dhe kocka jo vetëm ekzistojnë, por janë edhe trend, ngaqë shumë spin-doktorë dhe profesorë të paneleve e pikturojnë si varianti ekzotik i komandantit Che.

E në këtë jurasikun tonë këtu, nuk ka nevojë për “Origjinën e Specieve” për të lexuar politikën, pasi miliona vite të dikurshme janë koha që jetojmë. Pa qenë shprehje metaforike.

Në këtë logjikë, për tu kthyer te doket klasike të doktorit, “bahçja” e tij e mbështetësve mediatike ka qenë gjithmonë kolorite në përhapjen e legjendave urbane mbi sjelljen në publik dhe jashtë.

Sipas njërës prej tyre, në qëndrimet e tij ka dy gjëra që duhet të dëshifrohen. Berisha ka dy palë spin-a; njërin që përfaqëson mendimin e tij zyrtar personal, e njërin që përfaqëson qëndrimin zyrtar të PD-së.

I pari, ka shumë më rëndësi se i dyti. i pari nuk punon në paradhomën e doktorit në PD, është jashtë aty ku gatuhet baruti dhe C4 e propagandës së fuqishme kundër armiqve të Sali Berishës. i dyti, është zyrtar dhe skrivaninë e ka afër doktorit në ish-selinë e SHQUP, Ku koordinon pikat e përgjithshme të PR-it kryesisht në panelet e darkës, ku dhe dërgohen apo “këshillohen” emrat e “kalorësve sulmues”.

Dhe këto ditë, i pari pra, ai që përfaqëson mendimin “zyrtar” personal të Sali Berishës, hodhi kushtrimin e një “Rithemelimi 2.0”. Natyrisht që ai qëndrim nuk ka mahnitur askënd. Por ka dhënë një sinjal, për të gjithë ata që mendojnë se edhe mund të “cachet blloku” siç do të shprehej Frrok Çupi.

Në PD ka njerëz, të lashtë që kanë kaluar dertet e para me doktorin që i dinë përmendësh hiqet e doket e tij, por çuditërisht edhe nga ata që në kohën e Berishës i ishin kërthinj ose me pantallona të shkurtra si për shembull Gaz Bardhi apo Ervin Saljanji. Mësimi i kodeve dhe huqet është një nga manualet që mësohet në armatën e “Che”-së së Jurasic Park-ut shqiptar.

E sipas “kodifikuesve” të vjetër të kësaj gjuhe antike, i bie që “Rithemelimi 2.0” nuk është gjë tjetër, veçse një paralajmërim për të gjithë ata që kanë menduar të rebelohen, qoftë edhe për “divanin e vezirëve”, pra për një intrigë më të vogël.

“Rithemelimi I” ndodhi si një skenar i përgatitur në letër, ku partia do t’i merrej me çdo kusht Lul Bashës dhe “pretorianëve” të tij me shkop bejzbolli dhe spry me piper, me çdo kusht e çdo mjet. Maksimumi do të thirren ata që kishin pranuar të tradhëtonin “ish-delfinin” që u kthye në Judë apo Brutt.

Këtë e kuptuan shumë mirë të vjetrit e PD-së, të cilët as nuk u afruan në rikthimin e Berishës, pasi e dinin se gjithçka është një skenar i shkruar. U afruan një pjesë e atyre që pas 8 janarit, natën vonë shkuan në zyrën e atit të 20, por edhe disa të tjerë.

Ca me iluzione se mund të çanin, si përshembull Evi Kokalari, pore dhe të tjerë “kokëfortë” që gjithë jetën kanë bërë beteja në mjedisin e ashpër të PD-së, ku natyrisht nuk kanë qenë të mirëpritur. Si Muslym Murrizi, Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj e të tjerë, të cilët nuk qëndruan gjatë.

Kësaj radhe, kushtrimi pë “Rithemelim”, ngjan si një thirrje me rreze të mesme veprimi. Pak a shumë si te filmi “Kapedani”, ku xha Sulo bën shef ëndërr se komandon bateritë e topave me dt të shkulura të mustaqeve. Po doktori, vërtetë është xha Saliu, por mustaqe nuk se ka pasur, madje legjendat thonë se nuk i janë dirsur kurrë…